Nuk kanë marrë pagën ekstra. Korçë, 100 mjekë i dërgojnë peticion Ministrisë së Shëndetësisë

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 13:18 | Aktualitet
Nuk kanë marrë pagën ekstra. Korçë, 100 mjekë i

Mjekët dhe infermierët, prej dy vitesh, në mbarë botën, janë cilësuar si heronjtë e pandemisë ndaj Covid-19 dhe natyrisht për këtë arsye, janë trajtuar me pagesa ekstra financiare për rrezikun dhe shërbimin që ofrojnë.

Por mjekët dhe infermierët e qarkut të Korçës ankohen se prej 7 muajsh nuk e kanë përfituar shtesën për shkak të punës me pacientë të infektuar me Covid.

Ndërkohë pas ankesës së mjekëve në platformën e bashkëqeverisjes, atyre u ka ardhur një përgjigje ku sqarohet se shtesat nuk u janë paguar pasi në listat e muajit maj, spitali rajonal i Korçës nuk ka dërguar listë të mjekëve dhe infermierëve që kanë trajtuar pacientë të infektuar me Covid.

Pra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pagesat ekstra bëhen në bazë të listave që dërgohen nga spitalet rajonale.

Por burime pranë spitalit të Korçës bëjnë me dije se listat janë dërguar rregullisht çdo muaj, duke hedhur poshtë justifikimin e nxjerrë nga ministria.

Gjithsesi, pavarësisht hedhjes së topit nga Ministria e Shëndetësisë te spitali rajonal i Korçës, fakti është që mjekët dhe infermierët e qarkut të Korçës prej 7 muajsh nuk marrin pagën ekstra si persona në vijën e parë të luftës me pandeminë Covid-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos