Nxorrën armët gjatë një sherri, policia arreston 2 persona në Tiranë, pistoleta iu gjet në makinë

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2023, 10:36 | Kronikë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona, të cilët janë kapur teksa qarkullonin me automjetin e tyre me armë zjarri. Në pranga ra një 42-vjeçar, drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri i tij, 40 vjeç, i cili kishte dijeni për pistoletën në makinë.

Sipas Policisë, palët kishin pasur një konflikt me disa persona të tjerë, ku kishte kërcënuar me armë. Me marrjen e informacionit, policia iu vu nga pas autorëve dhe i arrestoi pak çaste më pas.

“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndjekja”, sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarak. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”. Qarkullonte me automjet, i armatosur me pistoletë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 42-vjeçari. Procedohet penalisht pasagjeri, pasi dyshohet se duke patur dijeni, nuk kallëzoi këtë krim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme "Shqiponja", pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se në fshatin Prush kishte pasur një konflikt mes disa shtetasve dhe njëri prej tyre, dyshohej se ishte i armatosur dhe ishte larguar me një automjet tip "Benz", menjëherë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit “Ndjekja”, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në Rrugën e Kavajës, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit me drejtues shtetasin D. F. dhe ku ishte pasagjer shtetasin M. Sh. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. F., 42 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.  Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit". Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.” (A2 Televizion)

Njoftimi i Policisë së Tiranës

A2 CNN Livestream

Latest Videos