Opozita ka kërkuar përjashtimin nga seanca e Kuvendit të Ministres së Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, për gjuhën e saj ndaj deputetëve, kërkesë e cila është hedhur poshtë nga mazhoranca. Në një deklaratë për mediat deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, kërkoi që të përdoret i njëjti standard që përdoret edhe për deputetë e opozitës.
“11 deputetë të parlamentit kërkuan përjashtimin nga seancat e parlamentit të ministres Spiropali për gjuhën e papranueshme të saj ndaj deputetëve. Kërkuam të përdoret i njëjti standard që është përdorur masivisht kundër deputetëve të opozitës. Është marrë vendimi për të rrëzuar këtë kërkesë duke përdorur rregulloren si dhunim ndaj deputetëve të opozitës”.
Ai tha se deputetët e opozitës u përjashtuan pasi kërkuan ngritjen e komisionit hetimor për kryeministrin Rama në lidhje me çështjen McGonigal.
“Kemi kërkuar ngritjen e komisionit hetimor si e drejtë kushtetuese për të kontrolluar Ramën për skandalin McGonigal, që është aq e rëndë që edhe vetë autoritetet gjyqësore e shohin që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të tronditjes. Këtë kemi kërkuar dhe për këtë jemi përjashtuar. Vendimi i mazhorancës për rrëzimin e kërkesës sonë, ndërkohë që deputetët tanë përjashtohen. Rama që përfaqësohet nga Spiropali është simboli i të gjithë dhunës verbale dhe dhunimit të parlamentit të Shqipërisë. Ne nuk presim të gjejmë zgjidhje nga kjo, por ta gjejnë shqiptarët”.
Sa i përket protestës së 3 marsit, Bylykbashi tha se do të jetë e jashtëzakonshme kundër të keqes që lidhet me Ramën.
“3 marsi protestë e jashtëzakonshme kombëtare kundër kulmimit të kësaj të keqeje që lidhet me centralizmin autokratik të Edi Ramës. E ka bërë këtë duke goditur çdo lloj parimi kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe demokracisë. Afera McGonigal është e lidhur drejtpërdrejt me këtë përpjekje të tij për të shkatërruar opozitën. Atje do të jetë mocioni më i madh që do t’i tregojnë Ramës”. (A2 Televizion)