Mbi 100 familje në fshatin Shamoll, vetëm 4 kilometra larg qytetit të Korçës, prej vitesh janë të harruar nga pushteti vendor sa i përket investimeve në infrastrukturë. Sikur të mos mjaftojë fakti që asnjë rrugë e këtij fshati nuk është e asfaltuar dhe aq më pak e ndriçuar, përfshirë edhe rrugën që të sjellë në fshat, banorët kanë problematikë më emergjente kanalizimet e ujërave të zeza.
Këto të fundit, derdhen në kanale të hapura që kalojnë para banesave, duke u bërë shkak jo vetëm për erërat e rënda, por edhe për përhapjen e sëmundjeve.
Kjo është një nga arsyet që fshati po braktiset nga dita në ditë, ndërsa ato që vijojnë të jetojnë dinë të përmendin vetëm premtimet që u kanë bërë.
Ndërkohë zyrtarë të Bashkisë së Korçës shprehen se kanë projekte në letra për rikualifikim urban në fshat, por nuk japin asnjë afat konkret se kur nis zbatimi nga letra në terren. (A2 Televizion)