Pak shpresë në mes të tragjedisë, duke gërmuar me duar, shpëtohet vajza e vogël nën rrënoja në Siri

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2023, 12:07 | Aktualitet

“Zoti është më i madhi”, bërtitën pjesëtarët e grupit të shpëtimit “Helmetat e bardha”, teksa nxorën nga rrënojat një vajzë të vogël të gjallë. Duke gërmuar me duar, ata arritën të shpëtonin vogëlushen e tronditur, e cila qëndronte prej të hënës nën gërmadhat e shtëpisë së saj në Alepo.

Fytyra e vajzës së vogël, të identifikuar si Nur, ishte e mbuluar nga pluhuri ndërkohë që trupi ishte bllokuar deri në kraharor nga rrënojat. Sipas Reuters, fatmirësisht vajza nuk kishte lëndime të rënda.

Kjo është vetëm një nga historitë me fund të lumtur në mes të tragjedisë që ka kapluar Turqinë dhe Sirinë, të goditura nga dy tërmete shkatërrimtare të hënën. Deri tani, numri i viktimave ka arritur në mbi 5000, me mijëra të tjerë të plagosur.

Në Siri, numri i të vdekurve është rritur në mbi 1600, sipas shifrave zyrtare në zonat e kontrolluara nga qeveria, si dhe rebelët e opozitës. Gjithashtu, në vend raportohet për mbi 3600 të plagosur.

Tërmeti i parë, me magnitudë 7,8, është i dyti më i fortë që ka goditur Turqinë dhe me vdekjeprurësi që prej atij të vitit 1999, ku humbën jetën mbi 17 mijë persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos