Në këto ditë të nxehta, Këlcyra buzë Vjosës në mënyrë paradoksale vuan mungesën e ujit të pijshëm. Dhe kjo mungesë sipas banorëve nuk vjen se nuk kanë burime uji, por se administrimi nga ujësjellësi lë për të dëshiruar.
Skena të tilla në Këlcyrë ku punonjës të ujësjellësit hapin herë pas here tubacionet, për shkak të defekteve të shumta janë bërë thuajse të përhershme.
Sipas banorëve, ato po vuajnë punën e dobët të bërë në ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit.
Tre vite më parë u investuan plot 2.2 milionë euro nga qeveria shqiptare për rrjetin e ri të Ujësjellësit të Këlcyrës. Në atë periudhë, banorët u ankuan pasi firma zbatuese, po kryente punime me cilësi të dobët dhe jashtë standardit.
E ndërsa në atë kohë ankesat e qytetarëve ranë në vesh të shurdhër, sot Këlcyra vuan pikërisht defektet e linjës së re të ujësjellësit. (A2 Televizion)