Pavarësisht temperaturave të larta që kaloi vendi gjatë muajit korrik, duket se administratorët e hoteleve dhe bujtinave në Korçë po ngrohen më shumë gjatë muajit gusht.
Kjo për faktin se gjatë këtij muaji Korça po shënon bumin sa i takon fluksit të vizitorëve.
Edhe autoritetet lokale e pranojnë se gushti në Korçë, ndoshta edhe për shkak të temperaturave më të freskëta dhe eventeve të përvitshme që organizohen shënon numër më të lartë turistësh.
Ndonëse jemi ende në gusht, duket se në Korçë kanë nisur prenotimet për stinën e dimrit dhe festat e fundvitit, që shënojnë kulmin e prenotimeve dhe vizitorëve në qytetin juglindor.
Ndërsa bashkia po përgatit një paketë turistike për të gjithë zonën e juglindjes si dhe shkëmbimin e vizitorëve me qytetet kufitare të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. (A2 Televizion)