Fluksi i shtuar i pushuesve që i drejtohen bregdetit të Jugut të vendit në fundjavë, por edhe ata që zgjedhin të ndalen në Korçë për “Festën e Birrës”, kanë rënduar trafikun në Elbasan.
Unaza e qytetit është një ndër më të ngarkuarat në periudha të caktuara të vitit për shkak të lëvizjes drejt juglindjes, por po ashtu mbetet problematik aksi nga rreth rrotullimi i Bradasheshit.
Shefi i Sektorit të Qarkullimit në Elbasan, kryekomisar Valentin Florini është shprehur për A2CNN se forcat e policisë janë angazhuar në 100% të kapaciteteve të tyre në terren për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve.
“Fluksi i trafiku si për në Jug ashtu dhe për në Juglindje është i lartë, por lëvizja bëhet rrjedhshëm. Shërbimet e qarkullimit janë në terren dhe po menaxhojnë trafikun. Këshillojmë drejtuesit e mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara. Të mos përdorin aparatin telefonik gjatë drejtimit të mjetit dhe të shamngin konsumimin e pijeve alkoolike.” (A2 Televizion)
Shefi i Sektorit të Qarkullimit në Elbasan - Valentin Florini