Grupimi i Lulzim Bashës do të zhvillojë sot zgjedhjet për kreun e ri të partisë, pavarësisht anulimit të tyre nga Këshilli Kombëtar Demokrat.
71 qendra votimit janë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00, ndërsa anëtarët që do të votojnë duhet të paraqesin kartën e identitetit dhe kartën e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Mësohet se kandidati Gjergj Hani do të votojë në orën 10.00 te zyrat qendrore të PD, ndërsa Lulzim Basha në 11.00 pranë zyrave të degës 8 në Tiranë.
Mbajtja e këtyre zgjedhjeve ka sjellë një tjetër përplasje brenda Partisë Demokratike zyrtare, ndërsa procesi është kundërshtuar nga një pjesë e rëndësishme e partisë e kryesuar nga Bardhi, të cilët e konsiderojnë një proces antistatutor në interesin personal të Lulzim Bashës.
Një ditë më parë deputetët pro-Bardhi çuan në Gjykatë çështjen e PD-së, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, përfshirë kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës që vijon të jetë kryetar i PD në regjistrin e partive politike.
Por kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana u ka bërë thirrje demokratëve që të votojnë, duke theksuar se procesi është legjitim. (A2 Televizion)