Pija e ndaluar që nxiti luftë civile  

Nga A2 CNN
1 Prill 2023, 08:16 | Lifestyle

E stigmatizuar dhe zyrtarisht e jashtëligjshme, chicha, një pije indigjene, po rikthehet kudo në Kolumbi. Që nga viti 1949, konsumimi i saj u ndalua dhe kushdo që tentonte ta provonte rrezikonte të burgosej. Dikur pjesë e traditave indigjene, chicha thuhej se i bënte njerëzit injorantë dhe të dhunshëm. Gjithashtu, mendohej se lëshonte toksina helmuese që mund të shkaktonin një sëmundje të quajtur chichismo (ngadalësim i trupit dhe i mendjes). 

Tradita e prodhimit të chica-s

Shekuj para se të vinin kolonizatorët evropianë, populli indigjen Muisca, i cili banonte në kryeqytetin e sotshëm Bogota, prodhonte chicha, sipas një procesi tradicional. Gratë përtypnin misrin dhe pështynin purenë në një tas balte, nga pështyma e tyre niste fermentimi. Më pas, e groposnin tasin nën tokë për ta mbajtur të freskët. E nxirrnin atë dy javë më vonë, kur formohej një përzierje e trashë e verdhë, pak alkoolike.

Mirëpo jo çdo grua mund të përtypte misër për të përgatitur chicha, vetëm gratë e zgjuara të komunitetit lejoheshin për ta bërë këtë. Kjo pasi besohej se ato i kalonin mençurinë e tyre konsumuesve të tjerë. Përtypja e sasive të mëdha të misrit kërkonte kohë dhe përpjekje. Për këtë arsye, fillimisht chicha prodhohej në sasi relativisht të vogla dhe rezervohej vetëm për disa festa ose ceremoni të veçanta. 

Më vonë, njerëzit mësuan të shtypnin misrin në vend që ta përtypnin dhe kështu nisën të bënin chicha në sasi më të mëdha. Në shekullin e 19-të, pija ishte një pjesë integrale e dietës së njerëzve në Kolumbi. Birrarët e prodhonin atë në mënyrë komerciale. Deri në atë periudhë, chicha konsiderohej një pije e shëndetshme, pasi besohej se u jepte njerëzve forcë. Mjekët e kohës thoshin se ajo ishte plot me vitamina, proteina dhe energji.

"Chicha është krim!"

Në vitin 1889, mjeku Liborio Zerda, i cili punonte në laboratorin kimik të shkollës së mjekësisë në Bogota, pohoi se chicha ishte toksike. Sipas tij, chicha ishte e dëmshme për shkak të toksinave që shfaqeshin gjatë fermentimit. Së bashku me kolegun e tij, Josué Gómez, nisën kërkimet dhe dolën në përfundimin se kjo pije shkaktonte pikërisht sëmundjen chichismo. Kjo sëmundje karakterizohej nga pigmentimi i lëkurës, era e keqe trupore, ngadalësimi i lëvizjeve, plogështia, si dhe vështirësi në të menduar. Dy mjekët deklaruan se të varurit nga chicha, të bënte të humbisje energjinë, dëshirën për të punuar, si dhe shkaktonte transformim fizik e mendor. Kjo do të çonte deri në "degjenerimin racor" të popullit kolumbian.

Shumë postera që ndalonin përdorimin e pijes, u përhapën me shpejtësi në të gjithë vendin

Është e paqartë nëse këto patologji u vërtetuan ndonjëherë apo ishte në të vërtetë një politikë e ndjekur nga qeveria për të mbështetur kompaninë e birrës Bavaria që u hap në Bogota, pikërisht në këtë periudhë. Chicha gjithsesi i mbijetoi fushatave ndaluese, derisa kandidati liberal presidencial, Jorge Eliecer Gaitán, u vra në Bogota në vitin 1948, duke e futur vendin në trazira dhe luftë civile. Disa politikanë deklaruan se kryengritjet u shkaktuan nga "gjendja patologjike e të varfërve që kishin konsumuar chicha".

Burgjet u mbushën me njerëz që pinin chicha. Një vit më vonë, ministri i Higjienës miratoi një ligj që ndalonte prodhimin dhe shitjen e chicha-s në Kolumbi dhe të gjitha chicherías - vendet që prodhoheshin ose servireshin - u zhdukën brenda natës.

Megjithatë, njerëzit nuk ndaluan kurrë së prodhuari fshehurazi pijen e lashtë. Ndalimi është ende në fuqi, por sot mund të shesësh dhe konsumosh chicha në qendër të qytetit. Pra, nuk ka një ligj zyrtar që të rregullojë procesin. Recetat ruhen në çdo familje dhe mund të ndryshojnë nga një i afërm në tjetrin. Disa prodhues i shtojnë fruta pasioni, boronica ose ananas. Prodhuesit e shumë brezave që ruajtën pijen gjatë dekadave të shtypjes, krenohen me traditat e tyre. Ata e ruajtën recetën kur rrezikonin burg dhe e trashëguan atë brez pas brezi.

https://a2news.com/2021/02/24/udhetim-ne-tekila-per-te-zbuluar-sekretin-e-prodhimit-te-pijes-se-famshme/
https://a2news.com/2023/01/29/pija-shekullore-qe-bashkon-kulturat-traditat-dhe-fete/
https://a2news.com/2021/03/01/unicum-historia-unike-e-pijes-kombetare-hungareze/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli