“Po kërkon të fitojë kohë,” Açka: Rama një burrec shteti, të japë dorëheqjen e të hetohet për "McGonigal"

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2023, 21:16 | Politikë
“Po kërkon të fitojë kohë,” Açka: Rama

E ftuar në “Intervistë” me Merita Haklajn në A2 CNN, deputetja demokrate Flutura Açka i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të dalë dhe të tregojë të vërtetën e tij, nëse është ashtu siç thotë, i pastër për çështjen McGonigal.

Ndërsa komentonte daljet televizive të kryeministrit, të enjten mbrëma, deputetja demokrate tha se kjo ishte një mënyrë e kreut të qeverisë për të mbajtur një qëndrim të kontrolluar.

Sipas saj, Rama po kërkon të fitojë kohë pasi as “vetë ai nuk e di se sa larg mund të ketë shkuar “miku i tij,” ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal.

Kam përshtypjen se Rama po merr kohë. Kërkon kohë sepse ndoshta edhe ai vetë është mbase i çorientuar. Nuk e di se deri në çfarë pike ka shkuar miku i tij... E gjen veten më komod në një ekran në skype, se fjala nxjerr fjalën, po të ishte në Parlament.”

Acka vlerëson se ishte presioni i madh publik që e bëri kreun e qeverisë që të dilte e të jepte një shpjegim, siç u shpreh ajo “me regji dhe minuta të kursyera.”

Sipas saj, Rama duhet të japë dorëheqjen, të zhvishet nga çdo imunitet dhe të lejojë drejtësinë shqiptare dhe amerikane që ta hetojnë.

“...Ka prekur votën e lirë, ka çorientuar publikun, elektoratin. Dosja del nga zyra e tij, nga linja e tij personale. Unë të isha si Rama jepja dorëheqjen, me nder dhe u thoja organeve të drejtësisë, më hetoni. Këtu është ndarja mes burrave të shtetit dhe burrecave të shtetit. Edi Rama është një burrec shteti. Të zhvishet nga imuniteti para drejtësisë amerikane dhe asaj shqiptare.”

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024