Propozimi i kreut të Deloitte: Të bëhet amnisti e plotë, vetëm një herë e pastaj rregulla të ashpra për të gjithë

Nga A2 CNN
22 Prill 2020, 21:06 | Ekonomi
Propozimi i kreut të Deloitte: Të bëhet amnisti e plotë,

Në një kohë kur forcat politike dhe ekspertët po debatojnë për nismën e fundit të qeverisë, amnistinë fiskale për të ardhurat nga puna në të zezë, drejtori ekzekutiv i Deloitte për Shqipërinë dhe Kosovën, Maksim Caslli propozon që të zbatohet një amnisti e plotë, pjesë e të cilës të jenë edhe paratë e aktiviteteve kriminale. Kjo me qëllim që përfitimet në ekonomi të jenë të mëdha. Por për këtë duhet konsensus i gjerë me të gjithë aktorët e përfshirë në proces, shoqërinë civile dhe opozitën, pasi një amnisti e tillë duhet bërë vetëm një herë e më pas, rregullat të shtrëngohen, që të mos lejohen më shkelje të tilla. Këtë propozim Caslli e bëri në emisionin A2 Business Week të gazetares Aurora Sulce.

“Në parim jam pro amnistisë fiskale, se kemi shumë gjëra për të formalizuar në këtë vend, por këto gjëra duhen studiuar mirë që mos t’i rikthehemi më vonë dhe të futemi në debate politike. Ekziston rreziku që do të deklarohen edhe paratë e aktiviteteve kriminale. Refugjatët i kanë futur tashmë paratë në rrjetin bankar, nuk ka refugjat pa llogari bankare tashmë. Plus që në rastin e refugjatëve të thjeshtë nuk duhet të bëhet fjalë për sasi të mëdha parash. Përfitimet do të jenë qesharake për shtetin, në qoftë se amnistia ka të bëj vetëm me këtë kategori, dhe do të jetë për konsum politik”, shprehet Caslli.

Ai shton edhe se abuzimet mund të jenë të shumta, nga momenti që persona të tretë në Shqipëri mund të pastrojnë paratë me anë të të njohurve që mund të ndodhen në emigracion.

Kreu i Deloitte për Shqipërinë dhe Kosovën shtjellon propozimin e tij për një amnisti të thellë, për të cilën ka nevojë ekonomia. “Duhet të bëjmë një amnisti të thellë, përfshi paratë në të zezë. Paratë e drogës dihet që qarkullojnë. Nëse ti nuk u jep mundësinë këtyre që merren, që të heqin dorë nga ky aktivitet kriminal, ata do të vazhdojnë në këtë aktivitet. Nëse ti bën një legalizim njëherë e mirë, me kusht që nëse të kap prapë me këtë aktivitet paratë t'i marrë të gjitha, ai e di që nëse do të fusë në sistem x lekë dhe kapet prapë me aktivitet kriminal, këto lekë t'i merr shteti të gjitha. E njëjta gjë është me paratë e korrupsionit. Ka arritur një moment që duhet hapur një kapitull i ri dhe për këtë duhet mirëkuptim nga të gjitha palët”, shprehet Caslli.

https://a2news.com/2020/04/22/dashamir-shehi-per-amnistine-fiskale-shperblimi-i-fundit-per-bandat-efekte-te-pakta-ne-arkat-e-shtetit/

Eksperti i ekonomisë deklaron gjithashtu, se në kuadër edhe të amnistisë fiskale, qeveria duhet të orientohet drejt instrumentave afatgjatë për të strukturuar borxhin e saj, siç janë bonot me afat 20, 30 apo 50 vjecare.

“Nëse je i zgjuar, ti mund të përdorësh instrumenta të tillë që duhen në këtë moment. Lekët të futen në një bono 50 vjecare, 20 vjecare, 30 vjecare. Pra, në një farë mënyre ti arrin që borxhin tënd që e ke të marrësh borxh për të dalë nga kjo situatë, ta strukturosh edhe përsa i përket jetëgjatësisë së tij. Nëse kjo do të bëhet në mënyrë amatoreske, më shumë do të ketë debat politik sesa do të ketë debat profesional”, shprehet Maksim Caslli.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi