Komisioni Evropian ka miratuar zyrtarisht vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.
Vendimi është miratuar në takimin e Kolegjit të Komisionarëve, ndërsa është prezantuar para gazetarëve nga zëvendëskryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç.
“I kemi rekomanduar Këshillit nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën dhe që të miratojë kornizën negociuese kur Bosnje-Hercegovina të ndërmarrë hapa në përputhje me raportin e Komisionit Evropian“, ka thënë ai.
Ky vendim është paralajmëruar më herët nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke përmendur disa rezultate, përfshirë edhe faktin se Bosnjë e Hercegovina ka nivelin e përshtatjes 100 për qind me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, vendimin për nisjen e negociatave duhet ta marrin liderët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo do të jetë në rend të ditës në një samit që do të zhvillohet më 21 dhe 22 mars në Bruksel.
(A2 Televizion)