Një eksponent i lartë i mafies greke është ekzekutuar mbrëmjen e së shtunës nga persona ende të panjohur në qendër të Athinës.
Mbi 80 plumba janë zbrazur ndaj 44-vjeçarit Vangjelis Zabunis nga të paktën 3 persona, në një atentat që tronditi të gjithë opinionin publik grek për nga egërsia e ekzekutimit.
Pak minuta pas krimit, policia gjeti në dalje të Athinës dhe një mjet të braktisur, i cili mendohet të jetë përdorur nga autorët. Brenda tij u gjetën dy automatikë kallashnikovë dhe një pistoletë.
Vangjelis Zabunis ishte një ndër eksponentët më të rëndësishëm të mafies greke. Në vitin 2018, ai i shpëtoi një atentati vetëm pasi autorit iu bllokua arma.
Zubunis ishte arrestuar disa herë dhe ishte në krye të listës së të dyshuarve për disa sulme ndaj bandave të tjera. Ai merrej me kontrabandë karburantesh, pijesh alkoolike si dhe gjobëvënie.
Policia deklaron se Vagjeli Zubunis u ekzekutua nga vrasës me pagesë, teksa ka rrethuar një pjesë të madhe të kryeqytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e tyre.
(A2 Televizion)