'Forconi shtetin e së drejtës', PE miraton programin 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Nga A2 CNN
24 Prill 2024, 18:01 | Ballkani

Parlamenti Evropian ka miratuar planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro. Vendimi është marrë me një shumicë parlamentare me 517 vota pro, 56 kundër dhe 30 abstenime.

Tashmë pritet edhe miratimi përfundimtar nga ana e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Burimet e facilitetit përfshijnë 2 miliardë euro në formën e mbështetjes së pakthyeshme dhe 4 miliardë euro në formën e kredive të dhëna nga Bashkimi Evropian.

Por përfitimi i këtyre shumave shoqërohet me kritere të cilat janë të domosdoshme për tu zbatuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor. 

"Përfituesit duhet të përmirësojnë, mbështesin dhe respektojnë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë funksionimin e një sistemi parlamentar shumëpartiak, mbrojtjen e mediave të lira dhe pluraliste, luftën kundër dezinformimit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe një drejtësi e pavarur”.

Për sa i përket Kosovës, një parakusht për për këtë paketë është përmirësimi i raporteve me Serbinë dhe përmbushja e plotë e të gjitha detyrimeve përkatëse të cilat burojnë nga marrëveshjet e diskutuara në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit. Parlamenti Evropian shtoi gjithashtu një parakusht për "përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian, duke përfshirë miratimin e masave kufizuese kundër Rusisë".

Burimet diplomatike për Radio Evropa e Lirë bëjnë me dije se Komisioni Evropian ka ambicie që pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit nga kjo paketë të bëhet shumë shpejt, me gjasë në 6-mujorin e dytë të këtij viti.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos