Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov kërkon që të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut. Këtë e konfirmoi diplomati Bujar Osmani, që sqaron se bëhet fjalë për një kërkesë të krydiplomatit të Putinit për të marrë pjesë në Këshillin Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE.
Eventi mbahet në fund të këtij muaji në Shkup, pasi Maqedonia e Veriut po kryeson OSBE-në.
“Kam marrë një letër para disa ditësh nga ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë në të cilën ai ka theksuar kërkesën për të siguruar praninë e tij në Shkup. Ka disa sfida rreth kësaj kërkese, sepse hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve tanë është e mbyllur për fluturimet shtetërore ruse, prandaj këtu duhet të bëhen disa përpjekje logjistike”, konfirmoi Osmani.
Ministri shtoi se të gjitha vendet anëtare duhet të marrin pjesë në këtë Këshill të OSBE-së, por kjo do të varet nga vendimet që do të merren në ditët në vijim.
Osmani tha se OSBE-ja në 50 vjetët e ekzistimit të saj po përballet me krizë të thellë pasi nga viti 2021 ka buxhetin e bllokuar ndërsa nuk ka arritur të zgjedhë as drejtuesit në disa pozita kyçe. (A2 Televizion)