Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavorv do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut të enjten, në vizitën e tij të parë në një shtet anëtar të NATO-s që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Shefi i diplomacisë së Moskës do të marrë pjesë në një konferencë të OSBE-së me ftesë të Shkupit, që ushtron detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Rusia është një prej 57 anëtarëve të Organizatës së krijuar gjatë luftës së ftohtë për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve mes Lindjes dhe Perëndimit.
Por pas nisjes së agresionit ndaj shtetit fqinj më 24 shkurt të viti 2022, anëtarët e NATO-s i ndaluan fluturimet nga Rusia. Për të mbërritur në Maqedoninë e Veriut, avioni i Lavrovit duhet të fluturojë mbi hapësirën ajrore të Bullgarisë apo Greqisë. Drita jeshile erdhi nga Sofja ditën e hënë, diçka të cilën ministri i Jashtëm rus e paralajmëroi më herët.
“Me sa duket Bullgaria i ka premtuar Maqedonisë se do të hapë hapësirën ajrore. Le të shohim”, u shpreh Lavrov.
Siç thuhet, vendimi u mor pas kërkesës të Maqedonisë se veriut, për pjesëmarrje në këshillin e ministrave të OSBE në Shkup të ministrit të Jashtëm rus, dhe bie nën përjashtimin e regjimit të sanksioneve të BE-së kundër tij. Leja është e përkohshme dhe nuk vlen për anëtarët e delegacionit të Lavrov, që gjithashtu janë persona të sanksionuar sipas ligjit të BE.
Mbi 70 delegacione të vendeve anëtare dhe partnere të OSBE-së pritet të mbërrijnë në Shkup për takimin e kësaj jave.
Sipas Lavrovit, disa përfaqësues të vendeve perëndimore kanë kërkuar tashmë takime me të gjatë samitit. Por agjencia e lajmeve ruse Tass, përjashtoi mundësinë e një takimi mes Lavrov dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit Anthony Blinken.
(A2 Televizion)