“Situata në Ballkan, shqetësuese”, Stoltenberg: Do të bëjmë gjithçka që të ruajmë stabilitetin

Nga Rosalba Bejdo
28 Nëntor 2023, 15:55 | Ballkani

Aleanca veri-atlantike do të bëjë gjithçka që të ruajë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Janë fjalët e sekretarit të përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg në nisje të takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare. Ai shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve në rajon.

“Ajo që shohim atje është se tensionet porriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë, NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbajtur ose për të siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”.

Në takimin që po mbahet në Bruksel me 28 dhe 29 nëntor, shefat e diplomacive të 31 shteteve anëtare do të diskutojnë ndër tjera edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajon. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, deklaroi se aktorët e jashtëm po tentojnë vazhdimisht të destabilizojnë rajonin.

“Kjo vlen, jo vetëm për situatën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. NATO-ja, por edhe BE-ja, është një nga garantuesit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha Baerbock. Diskutimet në nivel të ministrave të NATO-s rreth situatës në rajon ajo i cilësoi si tejet të rëndësishme ndërsa paralajmëroi se Gjermania do të dërgojë 150 ushtarë shtesë në kuadër të KFOR-it gjatë vitit tjetër.

Sakaq, Sekretari Amerikan i shtetit Anthoni Blinken, rikonfirmoi gjatë një deklarate të përbashkët me Stoltenberg mbështetjen e fortë për Ukrainën përballë agresionit rus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos