Vuçiç nuk shkon në eventin e festës, ambasadori rus në Serbi flet për kthimin e Kosovës në OKB

Nga Xhevahir Qardaku
21 Shkurt 2024, 15:10 | Ballkani

Rusia po kërkon që të rikthejë çështjen e Kosovës përsëri në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këtë e konfirmoi ambasadori i Putinit në Serbi, Aleksandër Boçan Kharçenko, i cili në një event për ditën e mbrojtjes së Rusisë, falënderoi Beogradin për mos vendosjen e sanksioneve.

Ai nuk dha detaje të tjera se për çfarë teme po kërkon të rikthejë Kosovën në OKB, por vetëm përsëriti se Rusia mbështet atë që e konsideroi integritet territorial të Serbisë.

 “Menjëherë e përkrahëm iniciativën për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit dhe qëllimi është që kjo çështje të kthehet përsëri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sigurisht që ne respektojmë dhe është nder i madh që Serbia nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë të vendosë sanksione kundër Rusisë, përkundër sulmeve, presioneve dhe kërcënimeve.”, tha ambasadori i Putinit në Serbi, Aleksandër Boçan Kharçenko.

Të pranishëm në eventin për festën ruse ishin një sërë anëtarësh të qeverisë së Serbisë, si ministri I jashtëm Ivica Daçiç dhe ministri I mbrojtjes, Millosh Vuçeviç. Por presidenti Aleksandër Vuçiç ishte një ndër personazhet që mungoi në këtë takim.

Megjithatë, ai dha mesazhet e tij përmes një interviste për televizionin publik serb. Vuçiç nënvizoi se vendi i tij nuk do të sanksionojë Rusinë, ndërsa vlerësoi se Putini po fiton në Ukrainë. Lidhur me Kosovën, presidenti serb njoftoi se ka zhvilluar biseda me presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian, Charles Michel, i cili duket se i ka premtuar një zgjidhje për çështjen e dinarit serb në Kosovë.

Gjithashtu pretendoi se është i gatshëm për të marrë pjesë në dialogun e Brukselit, ndërsa pretendon se kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, është ai që nuk dëshiron një takim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos