Teksa Kosova përballet në betejën me dy fronte; atë për shtetësinë e vet me Serbinë dhe atë me ndërkombëtarët që po i bëjnë presion të bëjë kompromise për të mos i cenuar raportet me ta, Serbia vijon pa u ndalur garën për armatosje.
Pasi e çoi çështjen e dinarit në tryezën e Këshillit të Sigurimit dhe teksa akuzon Kosovën për përndjekje të serbëve në veri, flet për nevojën e një ushtrie të fortë qe do t’i dilte për Zot edhe atyre.
A po përfiton Vuçiç nga situata dhe a po ndjek një strategji, në kushtet kur brenda vendit, përballet me një presion në rritje, pas zgjedhjeve të manipuluara?
Për këtë dhe çështje të tjera lidhur me zhvillimet e fundit, flasim me gazetarin dhe analistin serb, Nicola Burazer, gjithashtu kryeredaktor i Europen Western Balkans.
INTERVISTA E PLOTË
- Serbia po udhëheq garën e armatimit në Ballkanin Perëndimor dhe po tregon me krenari mbështetjen ruse në këtë përpjekje. Z. Millosh Vuçeviç tha se duhet një ushtri më e fortë për të mbrojtur vendin dhe serbët në Kosovë. A mendoni se ata kanë nevojë për këtë lloj mbrojtjeje?
Nicola Burazer: "Komentet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi qarkullojnë prej vitesh dhe ekziston përshtypja e përgjithshme se këto lloj mesazhesh i drejtohen popullatës në vend. Sepse rikthimi i rekrutimit ushtarak është popullor në mesin e qytetarëve serbë dhe për këtë arsye, përmendet gjithmonë kur qeverisë i duhet popullariteti me rikthimin e kësaj teme. Por ne nuk kemi parë ndonjë hap të veçantë të bërë në këtë drejtim. Megjithatë, do të thosha se po zhvillohet një garë armatimi mjaft shqetësuese në Ballkanin Perëndimor, e cila definitivisht nuk është e mirë për askënd. Dhe kur fillon në një vend, ndoshta mund të çojë me shume armatosje, të një vendi tjetër. Pra, kjo është diçka që unë besoj se nuk është e mirë për të gjithë rajonin."
- Kryeministri Albin Kurti tha se Serbia po blen armë ruse jo për mbrojtje, por për t'i treguar Putinit se është në linjë me politikën e tij agresive. A mund të ketë të drejtë?
Nicola Burazer: "Nuk mendoj se ka ndonjë qëllim të tillë nga qeveria serbe. Në fakt, nga ajo që dimë, qeveria serbe po ndihmon Ukrainën në luftën me Rusinë, dhe për këtë qeveria serbe fiton pikë ose mbështetje në perëndim për shkak të kësaj ndihme që i jep Ukrainës. Serbia është ende duke u mbështetur te Rusia në një masë të madhe kur është fjala për politikën e jashtme dhe gjithashtu çështjet si energjia. Por unë do të thoja se lidhjet serbe me Rusinë janë të nxitura kryesisht nga shqetësimet e brendshme, domethënë, Rusia është shumë popullore në Serbi. Dhe mendoj se qeveria serbe po përpiqet t'u tregojë qytetarëve serbë se në përgjithësi është pro ruse dhe se mban marrëdhënie të mira me Rusinë. Tani, natyrisht, Rusia gjithashtu kërkon një lloj prove, një lloj angazhimi për të treguar se qeveria serbe me të vërtetë nuk është e gatshme të sanksionojë Rusinë ose t'i kthejë plotësisht shpinën Moskës."
-A mendoni se aktorët ndërkombëtarë po tregohen të butë me Serbinë edhe pas zgjedhjeve, pas Bajnskës, ndërkohë që po i bëjnë presion Kosovës? A është kjo një strategji?
Nicola Burazer: "Epo, aktorët ndërkombëtarë po i bëjnë presion edhe Serbisë edhe Kosovës për arsye të ndryshme. Ata ka ushtruar trysni mbi Kosovën edhe para Banjskës për shkak të mungesës së vullnetit në Prishtinë për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara dhe veçanërisht për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe dhe për shkak të lëvizjeve të njëanshme, të cilat realisht nuk do të thosha se çuan drejt një marrëdhënie të përgjithësuar kompromisi, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por nga ana tjetër, edhe Serbia përballet, ndoshta jo me sanksione të forta, por presione që vijnë nga Bashkimi Evropian, së pari për shkak të Banjskës, dhe të rolit të paqartë të qeverisë serbe në atë që ndodhi. Dhe pastaj, sigurisht, për shkak të zgjedhjeve, për shkak të asaj që është shumë e dukshme e që ishte vjedhja e zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Kështu që tani do të thoja se edhe Serbia edhe Kosova janë nën presion për arsye të ndryshme. Dhe kjo nuk është në të vërtetë shenjë e mirë për procesin e normalizimit, sepse dukej se kishte një mungesë të vullnetit të mirëfilltë politik për ta çuar përpara këtë proces. Dhe BE-ja, deri më tani, nuk është treguar vërtet mjaft efikase në përkthimin e këtij lloj presioni në ndryshim konkret të sjelljes nga palët mbi të cilat e ushtron atë. Dhe ky presion ndoshta do të jetë edhe më i dobët tani në muajt në vijim, me zgjedhjet europiane. Dhe pastaj sigurisht që kemi zgjedhjet në SHBA më vonë gjatë vitit. Pra, nuk jam plotësisht i bindur se i gjithë ky presion do të jetë i frytshëm, të paktën kur bëhet fjalë për procesin e normalizimit. Por siç do të thoja, destabiliteti në Kosovë po bëhet edhe më i madh në dy muajt e fundit për shkak të disa vendimeve të Kosovës. Dhe duke qenë se çështja e demokracisë në Serbi po bëhet, gjithnjë e më e paqëndrueshme për shkak të zgjedhjeve të përsëritura dhe zgjedhjeve të ardhshme lokale, kjo sigurisht që do të jetë një periudhë shumë e turbullt dhe nuk do ta përjashtoja se BE-ja në të vërtetë mund të përshpejtojë ritmin kur vjen puna për të ushtruar presion mbi të dyja palët në këtë moment."
-Duke marrë parasysh tensionet e fundit me Kosovën, por edhe krizën politike brenda vendit, cili është pozicioni i presidentit Vuçiç dhe në cilën strategji po mbështetet më shumë.
Nicola Burazer: "Nuk është plotësisht e qartë se cila është strategjia e Beogradit për Kosovën dhe për dialogun. Që nga Banjska dhe zgjedhjet, qeveria serbe, le të themi, ishte më e gatshme për të zbatuar disa masa ose për t'i lënë ato të ndodhin, le të zbatohen pa asnjë lloj proteste, pa asnjë lloj rritje të tensioneve. Për shembull, dimë që një vit e gjysmë më parë kishte shumë tensione për targat. Dhe tani kur ky vendim u zbatua përfundimisht, nuk pati asnjë protestë, nuk pati krizë. Kështu që unë mendoj se qeveria në Beograd po bën një lloj lëshimi në dy muajt e fundit. Por përsëri, nuk është plotësisht e qartë se çfarë dëshiron të arrijë me këtë. Ndoshta për të blerë kohë para zgjedhjeve evropiane dhe zgjedhjeve në SHBA dhe për të shmangur më shumë presione që vijnë ndaj qeverisë serbe për shkak të Banjskës dhe zgjedhjeve. Nuk është e sigurt se cila është ndeshja e fundit për Beogradin. Ne kemi marrëveshjen e vitit të kaluar, e cila është shumë e qartë se çfarë duhet të arrijnë të dyja palët. Pala serbe ka qenë goxha e zëshme se nuk është e gatshme të zbatojë gjithçka që është në këtë marrëveshje, duke pretenduar se ajo nuk është nënshkruar. Ajo thjesht u mor në konsideratë, u pranua në thelb kur ata po e diskutonin atë. Por nuk duket se ka pritshmëri për këtë. Unë do të thosha për secilën nga dy qeveritë, kjo është diçka për të cilën BE-ja do të insistojë në të ardhmen. Do të bëhet formalitet edhe për anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në BE. Pra, në këtë kuptim, nuk është plotësisht e qartë se cili është fundi i lojës së Serbisë në këtë proces, por blerja e kohës dhe parandalimi i dëmit politik në vend me zgjedhjet që vijnë është sigurisht, do të thoja, strategjia kryesore afatshkurtër."
A mendoni se BE-ja duhet të ndryshojë qasjen lidhur me dialogun?
Nicola Burazer: "BE-ja e di se kur gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur, kështu duhet të jenë edhe masat e saj. Mendoj se BE-ja duhet të emërtojë dhe të turpërojë më qartë të gjithë aktorët që minojnë procesin. Unë mendoj se BE-ja duhet të jetë më e gatshme për të zbatuar masa më të ashpra kundër këtyre individëve apo organizatave. Dhe kjo është diçka që ne kemi parë se ka munguar në të kaluarën. Nuk ka koordinim të mjaftueshëm, mendoj, mes shteteve anëtare dhe administratës së Brukselit. Shumë herë mund të dëgjosh retorika të ashpra që vijnë nga të gjithë këta aktorë, por përsëri, kjo nuk përkthehet në të vërtetë në veprime konkrete politike ose masa të koordinuara. Kështu që unë mendoj se është e nevojshme që procesi të ecë përpara. Dhe BE-ja gjithashtu duhet të komunikojë shumë më qartë se çfarë po bëjnë ose nuk po bëjnë të dyja palët dhe çfarë duhet bërë. Kjo pasi ka shumë opsione për të dyja qeveritë që ta paraqesin dialogun ashtu siç e shohin të arsyeshme për qytetarët e vet dhe të paraqiten si viktima dhe si ata që bëjnë lëshime ndërsa pala tjetër nuk po bën asgjë. Dhe kjo është diçka që ne e kemi parë për dhjetë vitet e fundit. Kjo nuk është asgjë e re. Madje mund të thuash se BE-ja tani po bëhet pak më e zëshme për këto gjëra. Por përsëri, ajo që mungon janë veprimet konkrete. BE-ja u përpoq vitin e kaluar të kalojë nga një lloj menaxhimi i krizës, ku përpiqet të shuajë krizën ekzistuese për të parandaluar dhunën, tek një lloj roli më proaktiv, duke u përpjekur te keto këto marrëveshje qe jane të qarta, dhe pastaj në thelb duke i detyruar palët të arrijnë një marrëveshje dhe ta zbatojnë atë. Por situata në terren është përkeqësuar. Tani i jemi kthyer sërish menaxhimit të krizave. Pra, padyshim që kjo strategji nuk funksionoi për arsye të ndryshme. Kështu që BE-ja tani edhe një herë duhet të merret me parandalimin. Është parandalimi i dhunës. Dhe tani, do të thosha, ekziston ende potenciali ynë i lartë për dhunë, edhe pse janë reduktuar disi në dy muajt e fundit." (A2 Televizion)