Në Australi, kuajt e egër të vendit ndodhen në vështirësi për shkak të shumimit të tyre. Qeveria miratoi gjuajtjen e tyre nga ajri, në një përpjekje për të kontrolluar popullsinë. Janë rreth 19 mijë kuaj të egër në Parkun Kombëtar Kosciuszko, në juglindje të vendit, dhe autoritetet shtetërore të Uellsit të Ri Jugor duan të zvogëlojnë në mënyrë të konsiderueshme numrin e tyre. Qëllimi është që deri në mesin e vitit 2027 të mbeten vetëm 3000 prej tyre. Për ta bërë këtë, do të përdoren metoda mizore. Ata do të vriten me të shtëna pushke në zemër dhe kokë me pushkët nga bordi i helikopterëve.
Autoritetet për të mbrojtur faunën dhe florën e dinë se kjo është një masë ekstreme dhe shumë e papëlqyeshme, por ata besojnë se është e domosdoshme.
"Speciet vendase janë në prag të zhdukjes dhe i gjithë ekosistemi është i kërcënuar nga numri i tepërt i kuajve të egër", tha ministrja e Mjedisit e Uellsit të Ri Jugor, Penny Sharpe, sipas së cilës nuk mjafton më eliminimi i tyre në tokë me armë zjarri ose kurthe, siç ndodh tani.
"Nuk është një vendim i lehtë për t'u marrë, askush nuk do të donte të vriste kuajt e egër", pranoi Sharpe. Metoda e "përzgjedhjes" së helikopterit ishte përdorur për një periudhë të shkurtër në vitin 2000, kur më shumë se 600 ekzemplarë u vranë brenda tri ditëve, por autoritetet lokale më vonë u tërhoqën përballë zemërimit publik.
Kundërshtarët e vrasjes theksojnë se kuajt janë pjesë e identitetit kombëtar të Australisë. Brumbies u bënë të njohur nga poeti dhe gazetari Banjo Paterson (1864-1941), i famshëm për glorifikimin e Australisë rurale. Dhe një ekip regbi nga kryeqyteti Canberra njihet edhe si "Brumbies". (A2 Televizion)