235 të vdekur nga tërmetet shkatërruese në Venezuelë, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet

Nga A2 CNN
26 Qershor 2026, 07:05 | Bota

235 të vdekur nga tërmetet shkatërruese në Venezuelë,

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë operacionet intensive në Venezuelë, pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin pranë kryeqytetit Karakas, duke lënë të paktën 235 viktima dhe mbi 4.300 të plagosur.

Sipas autoriteteve, shumë persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet.

Dy tërmetet, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, goditën të mërkurën në mbrëmje, vetëm pak sekonda larg njëri-tjetrit. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), të dy lëkundjet ishin të cekëta, me epiqendra pranë sipërfaqes, çka shtoi ndjeshëm fuqinë shkatërruese, shkruan A2CNN. 

Zonat më të prekura janë Karakasi dhe qyteti bregdetar La Guaira, ku dhjetëra ndërtesa janë shembur plotësisht. Në shumë vende, ekipet e emergjencës raportojnë se ende dëgjohen thirrje për ndihmë nga personat e mbetur nën rrënoja.

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se rreth 250 ndërtesa janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar.

Në zonën metropolitane të Karakasit, kryebashkiaku i Chacao, Gustavo Duque, deklaroi se vetëm në një ndërtesë të shembur janë konfirmuar 11 viktima, ndërsa 23 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Ndërkohë, aeroporti ndërkombëtar i Maiquetías është mbyllur për shkak të dëmtimeve serioze në terminal, duke penguar përkohësisht trafikun ajror.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh dhe kanë dërguar avionë e anije ushtarake për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Ekspertët e USGS paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa lëkundjet pasuese vazhdojnë të godasin zonën. Deri tani janë regjistruar mbi 30 pasgoditje, duke rritur frikën mes banorëve, të cilët kanë kaluar natën në rrugë nga frika e shembjes së ndërtesave të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos