Alarm në Francë, konfirmohet rasti i parë me Ebola

Nga A2 CNN
26 Qershor 2026, 07:20 | Bota

Alarm në Francë, konfirmohet rasti i parë me Ebola

Franca ka konfirmuar rastin e parë me virusin Ebola, te një mjek që u kthye nga një mision humanitar në një zonë të prekur nga shpërthimi i sëmundjes në Republikën Demokratike të Kongos.

Ministria franceze e Shëndetësisë bëri të ditur se pacienti është transferuar në një qendër të specializuar dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Sipas autoriteteve, menjëherë pas mbërritjes në vend janë zbatuar të gjitha masat e sigurisë, përfshirë izolimin e plotë, për të shmangur çdo rrezik përhapjeje.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur gjurmimin e të gjitha kontakteve të pacientit, të cilat do të qëndrojnë në izolim për 21 ditë. Ministria theksoi se rreziku për popullsinë në Francë dhe në pjesën tjetër të Evropës mbetet shumë i ulët.

Shpërthimi i Ebolës është përqendruar në provincën Ituri, në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos. Sipas të dhënave më të fundit, deri më 21 qershor janë regjistruar 1.048 raste të konfirmuara, 267 viktima dhe 112 persona të shëruar, ndërsa edhe Uganda fqinje ka raportuar 20 raste dhe dy vdekje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli më 15 maj shpërthimin e virusit dhe pak ditë më vonë e klasifikoi atë si emergjencë shëndetësore me shqetësim ndërkombëtar.

Ekspertët paralajmërojnë se ky mund të jetë një nga shpërthimet më të mëdha të Ebolës të regjistruara ndonjëherë. Varianti aktual, Bundibugyo, është i rrallë dhe deri më tani nuk ka vaksinë apo trajtim të miratuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos