7 viktima nga sulmi rus në Kharkiv, mes tyre 3 fëmijë

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2024, 08:23 | Bota

7 viktima nga sulmi rus në Kharkiv, mes tyre 3 fëmijë

Ka shkuar në 7 numri i viktimave nga zjarri që shpërtheu pas një sulmi rus të nisur mbrëmjen e djeshme në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, duke saktësuar se mes viktimave ka edhe tre fëmijë.

Guvernatori Oleh Syniehubov dhe kryebashkiaku Ihor Terekhov raportuan se Kharkiv u godit nga dronët rusë Shaded të nisur nga rajoni Belgorod, të cilët goditën një pikë karburanti në rrethin Nemyshlyansky, duke shkaktuar një zjarr të madh që përfshiu 15 ndërtesa banimi.

Autoritetet e qytetit lindor të Ukrainës specifikuan në kanalet e tyre Telegram se fëmijët e vrarë ishin shtatë vjeç, katër vjeç dhe gjashtë muajsh.

Dronët rusë goditën gjithashtu mbrëmjen e djeshme qytetin jugor të Ukrainës, Odessa, ku ka mbetur i plagosur një 44-vjeçar.

Moska thotë se ka kapur dhe eliminuar tre dronë ukrainas në kufirin e rajonit rus të Bryansk mbrëmjen e djeshme. Në një deklaratë të cituar nga agjencia Tass, Ministria Ruse e Mbrojtjes deklaron se "përpjekja e regjimit të Kievit për të kryer një sulm terrorist duke përdorur mjete ajrore pa pilot me krahë fiks kundër objektivave" në territorin e Rusisë " ka dështuar. Sistemet e mbrojtjes kapën dhe eliminoi tre dronë mbi rajonin e Bryansk".

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli