Një gjeneral i dashur nga njerëzit e tij, në këmbim të një njeriu më pak të dashur, një "leopard bore", siç mori titullin në vitin 2014.
"Pedantik dhe i përpiktë , gjeneralkoloneli Oleksandr Syrsky është një nga ata oficerë me përvojë që përgatiten për të gjitha rrethanat e paparashikuara." Kështu e përshkruante Washington Post gushtin e kaluar. Dhe në fakt, Syrsky, të cilin Zelensky e emëroi dje shef shtabi, ka zgjuar shumë zëra.
Në shtator 2022, teksa përparonte në Lindje për të vendosur flamurin ukrainas në Izyum, gjenerali, kreu i forcave tokësore, lavdërohej në atdheun e tij së bashku me shefin e tij, Valery Zaluzhny. Sipas Spiegel, ishte ideja e tij për të shpërqendruar rusët në Lindje për të marrë Khersonin në Jug dhe ishte ai që e identifikoi fshatin Balakliya si pikën e dobët për të thyer linjat ruse. Por atribuimi i kësaj merite mbetet një legjendë.
Dy anët e së njëjtës monedhë. Kjo pasi, gjeneral Syrsky u kritikua për faktin që nuk u tërhoq nga Bakhmuti në fund të vitit 2022, duke lënë mijëra të rinj ukrainas të vdesin në front. Dhe pikërisht atëherë komandanti i forcave tokësore fitoi përfundimisht pseudonimin "kasap", i cili sipas ukrainasve i dërgon njerëzit e tij në vdekje pa pasur skrupuj dhe pa ia bërë syri “tërr”.
Cilado qoftë e vërteta, CV-ja e tij ia vlen të shikohet. Pesëdhjetë e tetë vjeç - pra më i madh se Zaluzhny i cili është tetë vjet më i ri - Syrsky nisi arsimimin ushtarak në kohën sovjetike në Moskë, ku në 1982 u diplomua në Shkollën e Komandës së Lartë. "Një nga ironitë e hidhura të kësaj lufte", sipas Spiegel.
Megjithatë përzgjedhja e tij nga Zelensky tregon se sa e rëndësishme është të njohësh armikun tënd.
Pak para Revolucionit të Dinjitetit, ishte ai - në atë kohë tashmë nënkryetari i parë i Qendrës së Komandës Kryesore të Forcave të Armatosura të Ukrainës - i cili u bë një nga figurat kryesore në fillimin e bashkëpunimit NATO-Ukrainë. Dhe pikërisht këtu Syrsky i përpiktë shënon një tjetër pikë kthese në karrierën e tij, e cila sot e bën atë të konsiderohet nga kreu i komandës evropiane të Shteteve të Bashkuara, gjenerali Christopher Cavoli, më i besueshëm se Zaluzhny (legjenda thotë se ky i fundit nuk iu përgjigj telefonatave të Cavolit).
Dhe jo vetëm. Emri i Syrsky është gjithashtu më i mirëpritur për britanikët të cilët nuk e pëlqejnë Kyrylo Budanov, kreun e shërbimeve ushtarake të Kievit dhe një tjetër kandidat në tentativë për të marrë komandën e Shtabit të Përgjithshëm, i preferuar në vend të tij nga inteligjenca amerikane.
Pas arratisjes së ish-presidentit Viktor Janukoviç, aneksimit të Krimesë dhe pushtimit rus të Donbasit në fillim të vitit 2014, Syrsky mbajti pozicionin e shefit të shtabit të të ashtuquajturit operacioni anti-terrorist (ATO) në Donbass, ku ai studioi nga afër armikun, deri në vitin 2019, kur u emërua në forcat tokësore të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Dhe më 24 shkurt 2022, dita më e rëndësishme e jetës së tij, teksa rusët po përparonin në Kiev, ai arriti të shmangte katastrofën, duke fituar kështu një tjetër betejë. Tani për shefin e ri të shtabit, Syrsky, sfida më e vështirë do të jetë riorganizimi i ushtrisë, bërja e saj më efikase dhe mbi të gjitha përdorimi i një arme për të cilën di më pak: Dronët.
Syrskyi thotë se përparësia e tij është morali i trupave të tij, të cilët ai është fotografuar rregullisht duke i vizituar në front. Ai ka thënë për mediat perëndimore se fle katër orë e gjysmë në natë dhe relaksohet duke shkuar në palestër. (A2 Televizion)