Një burrë i armatosur u arrestua të shtunën në luginën Coachella në Kaliforni, në një zonë ku ish-presidenti amerikan dhe kandidati Donald Trump do të mbante një takim elektoral.
Personi, i identifikuar si 49-vjeçari Vem Miller, u ndalua teksa po drejtonte fuoristradën e tij të zezë, i armatosur me një armë gjahu dhe një pistoletë.
Sipas mediave amerikane, nuk mund të përjashtohet pista se bëhet fjalë për një atentat të ri të dështuar ndaj ish-presidentit, pas sulmit në korrik dhe të shtënave rreth një muaj më parë pranë rezidencës së Trump.
Detaje të reja zbulojnë se personi i armatosur u ndalua nga agjentët e eskortës së Trump, të cilët zbuluan se ai kishte një leje drejtimi false. Pas gjetjes së armëve, i dyshuari u dërgua në paraburgim dhe do të dalë në gjykatë në janar.
Shërbimet sekrete konfirmuan episodin, megjithatë theksuan se siguria e Trump nuk ishte kurrë në rrezik, shkruan A2.
Sherifi i Riverside, Chad Bianco në një deklaratë për mediat u shpreh se "ndoshta kemi penguar një tjetër atentat" ndaj ish-presidentit. Dyshimi, sipas sherifit, është se Miller është anëtar i një organizate ultra të djathtë që kundërshton qeverinë federale amerikane. (A2 Televizion)