
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit ka nisur të normalizohet, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani po përgatiten të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi që synon t'i japë fund tensioneve dhe konfliktit mes palëve.
“Anijet kanë filluar të lëvizin, shumë prej tyre të ngarkuara me naftë”, shkroi Trump, duke theksuar se rruga detare jugore në ngushticë është tashmë e sigurt për lundrim.
Sipas njoftimeve, memorandumi i planifikuar për t’u nënshkruar të premten parashikon hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, heqjen graduale të bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe ndalimin e luftimeve në rajon.
Megjithatë, një këshillë ushtarake amerikane konfirmoi se bllokada ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi deri në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes.
Ekspertët paralajmërojnë se rikthimi i plotë i operacioneve normale në një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë mund të kërkojë disa muaj. Operacionet për pastrimin e minave detare pritet të zgjasin nga 40 deri në 50 ditë, ndërsa qindra anije vazhdojnë të presin kalimin.
Një nga çështjet që mbetet ende e paqartë është administrimi i ardhshëm i ngushticës. Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që kalimi të mbetet i lirë dhe pa tarifa, ndërsa autoritetet iraniane kanë lënë të kuptohet se mund të aplikohen pagesa për përdorimin e kësaj rruge strategjike detare.
(A2 Televizion)