
Irani ka deklaruar se ndalimi i sulmeve izraelite ndaj Libanit është kusht thelbësor për finalizimin e marrëveshjes së pritshme me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se nuk mund të ketë marrëveshje pa garantimin e sigurisë për Libanin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se fundi i luftës në Liban përbën një pjesë të pandashme të memorandumit të mirëkuptimit që Teherani dhe Uashingtoni pritet të nënshkruajnë në ditët e ardhshme.
“Libani dhe përfundimi i luftës në Liban janë pjesë integrale e marrëveshjes për t’i dhënë fund konfliktit”, deklaroi Baghaei, sipas agjencisë Mehr.
Ai shtoi se, në bazë të memorandumit, pala amerikane do të duhet të heqë të gjitha sanksionet ndaj Iranit, si dhe të ndërmarrë hapa për zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira. Sipas tij, marrëveshja parashikon edhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga konflikti.
(A2 Televizion)