Pengjet izraelite drejt lirimit, Izraeli mësyn një tjetër spital, me mijëra në rrethin e vdekjes

Nga Rosalba Bejdo
20 Nëntor 2023, 09:50 | Bota

Pengjet izraelite drejt lirimit, Izraeli mësyn një tjetër spital,

Spitalet, vijojnë të jenë në qendër të operacionit ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës. Pas Al Shifës, tanket dhe trupat izraelite mësynë spitalin Indonezian në veri të Gazës, ku dhjetëra persona raportohen të jenë vrarë gjatë sulmeve ajrore.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza flet për të paktën 12 viktima, mes të cilëve pacientë, pjesëtarë të stafit dhe palestinezë të shpërngulur.

Ajo akuzoi Tel Avivin se kishte vënë mijëra njerëz që gjendeshin atje, në rrethin e vdekjes, përmes shënjestrimit të vazhdueshëm të spitalit.

Izraeli nuk i është referuar drejtpërdrejtë sulmit, por tha se po vazhdon të godasë infrastrukturën terroriste.

Më herët, ushtria publikoi një video, ku pretendon se shfaqet një tunel i fortifikuar 55 metra i gjatë, nën spitalin e Al Shifës.

Zbulimi, sipas Izraelit, tregon se godinat spitalore po përdoren si mbulim për aktivitetet terroriste.

Sakaq një video tjetër, sipas ushtrisë, dëshmon dërgimin e pengjeve brenda Al Shifës pas sulmit të 7 tetorit.

 “Kemi siguruar informacione të tjera që provojnë se ushtarja e marrë peng, Noa Marciano, nuk ishte e vetmja që u mbajt në spitalin e Al Shifës. Pamjet tregojnë se gjithashtu një shtetas i Nepalit dhe një i Tajlandës u dërguan atje”, deklaroi Daniel Hagari.

Komsoneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk u shpreh i tronditur nga ato që i quajti zhvillime të tmerrshme gjatë 48 orëve të fundit në Gaza.

Ai dënoi ashpër sulmin ndaj kampit të refugjatëve Jabalia, ku u godit edhe një shkollë e drejtuar nga OKB-ja. Por edhe pse luftimet brutale vijojnë, ka sinjale se negociatat disajavore për lirimin e pengjeve, të ndërmjetësuara nga Katari e ku është përfshirë edhe SHBA-ja, po shënojnë më në fund progres.

Ambasadori izraelit në Uashington tha se ka shpresa që një numër i konsiderueshëm i tyre mund të lirohen gjatë ditëve në vazhdim në këmbim të një armëpushimi të shkurtër.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni