Hamasi dhe Izraeli pritet të lirojnë më shumë pengje dhe të burgosur të mërkurën, në ditën e fundit të armëpushimit 6-ditor në Rripin e Gazës, ndërsa bisedimet për mundësinë e një zgjatje të re po vijojnë në Katar.
Siç mësohet, Izraeli ka siguruar një listë pengjesh që pritet të lirohen nga Hamasi të mërkurën. Tel Avivi ka thënë se armëpushimi mund të zgjatet më tej, nëse Hamasi pranon të lirojë të paktën 10 pengje në ditë.
Por teksa gjithmonë e më pak gra e fëmijë mbeten në duart e militantëve, mbajtja e armëve të ulura përtej së mërkurës do të kërkojë negociata për lirimin e disa burrave izraelite, për herë të parë.
“Deri tani, kemi mundësuar lirimin e 81 pengjeve, përfshirë 50 gra dhe fëmijë të përfshirë në marrëveshjen fillestare. Jemi të përkushtuar të përfundojmë lirimin e të gjitha pengjeve, pa përjashtim”, tha Netanjahu.
Katari që po ndërmjetëson bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit, priti të martën kreun e CIA-s, William Burns dhe atë të agjencisë izraelite të zbulimit, Mosad. Zyrtarët diskutuan mbi parametrat e mundshëm të një faze të re të armëpushimit që do të përfshinte lirimin e burrave dhe personelit ushtarak.
Hamasi dhe grupi tjetër i militantëve, Xhihadi Islamik liruan 12 pengje të mërkurën, mes të cilëve 10 gra izraelite dhe dy qytetarë tajlandezë nga mosha 17 në 84 vjeçare. Mes tyre, përfshihen edhe një nënë me vajzën e saj.
Pak momente më vonë, Izraeli liroi 33 palestinezë nga burgu i Ofer në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe një qendër ndalimi në Jerusalem. Siç thuhet, gjysma e tyre ishin gra dhe pjesa e mbetur djem adoleshentë.
Deri më tani, 180 të burgosur palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite. (A2 Televizion)