Regjimi i Bashar Al Asad ra. Forcat rebele të Sirisë të njohura si Hayat Tahrir al-Sham njoftuan pushtimin e Damaskut pas ofensivës së tyre të nisur rreth një javë më parë me marrjen e Alepo dhe qyteteve të tjera.
Rebelët thanë se presidenti sirian Bashar al-Assad është arratisur nga Damasku me avion. Sipas HTS institucionet publike do të qëndrojnë nën mbikëqyrjen e ish-kryeministrit derisa të dorëzohen zyrtarisht. Presidenti i Sirisë Basharal-Assad ka qenë në pushtet për një çerek shekulli pasi e trashëgoi atë nga babai i tij Hafëzi për 30 vjet në krye të regjimit.
Banorët e kryeqytetit dolën në rrugë për të festuar rënien e regjimit pas 50 viteve të sundimit të Partisë Baath, ndërsa grupet rebele paralajmëruan fillimin e një "epoke të re" në Siri.
“Dolëm jashtë për të parë festimet e mëdha, të festojmë me të gjithë botën. Njerëzit po e prisnin këtë, rënien e një tirani dhe njerëzit po festojnë dhe nëse do Zoti, Siria do të jetë më mirë se më parë dhe paqja do të mbizotërojë në Siri”.
“Kjo është dita më e lumtur në jetën time. Ne kemi rilindur. Kjo është dita ku besimtarët bashkohen me fitoren e Zotit. Faleminderit Zot, ai na ka dhënë neve më shumë se çfarë meritojmë”.
“Jetë të gjatë Sirisë, poshtë Bashar al Asad. Jetë të gjatë Sirisë, poshtë Bashar al Asad. Ne do vijmë për ty o kriminel”.
Për rënien e regjimit të Asad reagoi edhe Presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump përmes rrjetit social X duke thënë se Rusia e braktisi Asadin pasi nuk kishte më interes.
“Asadi iku. Ai është larguar nga vendi. Mbrojtësi i tij Rusia, Rusia, Rusia e drejtuar nga Vladimir Putin nuk ishte më e interesuar ta mbronte atë. Nuk kishte arsye pse Rusia të qëndronte aty. Ata humbën të gjithë interesin në Siri dhe kjo për shkak të Ukrainës, një luftë që nuk duhej kurrë të niste dhe që nuk mund të vijojë për gjithmonë”.
Në krye të Hayat Tahrir al-Sham është Abu Mohammed al-Golani. Themeluesi i HTS, al-Golani ka kërkuar të distancohet nga forcat e tjera të armatosura në lidhje me operacionet ndërkufitare, duke u fokusuar në krijimin e një "Republike Islame" në Siri. Që nga viti 2016, ai dhe grupi i tij e kanë vlerësuar veten si "kujdestarë të besueshëm të një Sirie të çliruar nga al-Assad". (A2 Televizion)