Bisedimet kanë 'vdekur'! Izraeli tërheq ekipin negociator nga Katari

Nga A2 CNN
26 Mars 2024, 22:20 | Bota

Dështojnë bisedimet për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Katar. Me një veprim rrufe, Izraeli ka tërhequr negociatorët e tij nga Doha pasi i konsideroi bisedimet e ndërmjetësuara për një armëpushim në Gaza "një rrugë qorre" për shkak të kërkesave të Hamasit, citon agjencia e lajmeve Reuters.

Zyrtarët izraelitë sipas Reuters, akuzojnë liderin e Hamasit për ndërprerje të bisedimeve si një përpjekje më të gjerë për luftë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se Hamasi kishte kërkesa "delirante", të cilat tregonin se palestinezët nuk ishin të interesuar për asnjë marrëveshje. Faktori ndërkombëtar flet për një izolim nga ana e Izraelit duke humbur edhe mbështetjen e aleatit të tij të çmuar, Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin tha gjatë një takimi me Ministrin e Mbrojtjes së Izraelit, se ishte imperativ moral mbrojtja e civilë palestinezë, duke e quajtur situatën në Gaza një "katastrofë humanitare".

Ndërsa Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e etiketon situatën humanitare në Gaza si një ferr të vërtetë.

“Është e qartë se jetët e pengjeve dhe të familjeve të tyre kanë qenë ferr për pesë muaj. Pengjet duhet të lirohen. Por është e qartë që situata humanitare në Gaza është një ferr i vërtetë. Fakti që ne kemi ngecur në këtë dilemë nuk duhet të bëhet në kurriz të popullatës civile të uritur të Gazës”, tha diplomatja gjermane.

Sulmet izraelite kanë vazhduar në 24 orët e fundit pavarësisht rezolutës së OKB-së për thirrjen për armëpushim. Ushtria izraelite ka sulmuar më shumë se 60 objektiva në Gaza.

Betejat kanë vazhduar rreth spitaleve civile dhe në brendësi të Gazës. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka kryer sulme ajrore edhe mbi disa objektiva të Hezbollahut në veri-lindje të Libanit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos