Lufta nuk po kursen asgjë, as “shenjtët”. Shërbimet e inteligjencës në Rusi, FSB, pretendojnë se kanë zbuluar ngarkesa me eksplozivë të fshehura brenda ikonave ortodokse dhe objekteve të tjera fetare që vinin nga Ukraina.
Spiunët e Putinit theksojnë se ngarkesa mbërriti në rajonin verilindor të vendit pasi kishte kaluar nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian si Rumania, Hungaria, Sllovakia, Polonia, Lituania dhe Letonia.
Sasia e eksplozivit, sipas ministrisë së brendshme ruse, ishte e mjaftueshme sa për të shembur një ndërtesë 5 katëshe.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Kievi dhe Moska kanë intensifikuar atë që po konsiderohet si lufta e dronëve. Disa persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi ndaj disa fabrikave në rajonin rus të Tatarstanit, në një distancë mbi 1.1 kilometra nga Ukraina.
Inteligjenca e Kievit njofton se në shënjestër të sulmit me dron ishte një fabrikë që prodhonte dronët kamikazë Shahed, por edhe disa rafineri.
Përkundër luftës ajrore, në terren rusët pretendojnë se kanë përparuar duke pushtuar zona të ndryshme të Ukrainës.
“Ushtria ruse vazhdon që të pakësojë potencialin luftues të armikut. Forcat ukrainase kanë humbur më shumë se 80 mijë ushtarë që nga janari. Më shumë se 14 mijë njësi të pajisjeve ushtarake janë shkatërruar që nga janari, përfshirë 1200 tanke dhe autoblinda. Gjatë të njëjtës periudhë, kemi çliruar 403 kilometra katrorë të territoreve të reja të Rusisë”, tha ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Ndërkohë, Bjellorusia po përgatitet për një luftë. Këtë e konfirmoi vetë presidenti Aleksandër Lukashenko, edhe pse tha se një e tillë nuk do të ndodhë.
“Po e them hapur, jemi duke u përgatitur për luftë. Nëse dëshirojmë paqe, duhet të përgatitemi për luftë”, u shpreh lideri i Bjellorusisë.
Lukashenko ka urdhëruar stërvitje të mëdha të njësive të ushtrisë pranë kufijve të vendeve të BE-së dhe po blen armatime dhe pajisje të ndryshme. (A2 Televizion)