Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka ripërsëritur kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Gaza teksa u takua me liderët kryesorë të Lindjes së Mesme të shtunën.
Blinken deklaroi se SHBA beson se një armëpushim tani do t’i krijonte mundësi Hamasit që të rigrupohej dhe të sulmonte përsëri Izraelin.
Rezistenca e SHBA ndaj thirrjeve për armëpushim e ka vënë atë në kundërshtim me partnerët e saj arabë, përfshirë ata me të cilët ai u takua në Aman të Jordanisë.
Në vend të kësaj, kryediplomati amerikan theksoi përsëri mbështetjen e SHBA-së për "pauzat humanitare", një opsion që është hedhur poshtë nga zyrtarët izraelitë.
Frika e një konflikt të zgjeruar
Blinken deklaroi se ai dhe homologët e tij të gjithë ranë dakord mbi rëndësinë e përdorimit të ndikimit dhe aftësive të tyre përkatëse për të “penguar çdo aktor shtetëror ose jo-shtetëror nga hapja e një fronti tjetër në këtë konflikt".
“Gjatë gjithë këtij konflikti, vendet në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë kanë luajtur një rol thelbësor në parandalimin e përhapjes së tij”, tha Sekretari amerikan i Shtetit në një konferencë shtypi në Aman.
SHBA ka paralajmëruar vazhdimisht armiqtë e tjerë të Izraelit, përfshirë Hezbollahun, i cili ka shprehur mbështetje për Hamasin dhe ka shkëmbyer zjarr me trupat izraelite përtej kufirit me Libanin, por nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt në emër të Hamasit, që të mos e zgjerojnë konfliktin në një luftë më të gjerë në Lindja e Mesme. (A2 Televizion)