Britania e Madhe sanksionon shefat e burgjeve ruse pas vdekjes së Navalny

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2024, 17:51 | Bota

Britania e Madhe sanksionon shefat e burgjeve ruse pas vdekjes së Navalny

Mbretëria e Bashkuar ka ngrirë asetet e gjashtë bosëve të burgjeve ruse në krye të kolonisë penale të Arktikut ku vdiq lideri i opozitës Alexei Navalny. Individëve të sanksionuar do t'u ndalohet gjithashtu të udhëtojnë drejt ishullit.

Të sanksionuarit nga Britania janë, koloneli Vadim Konstantinovich Kalinin dhe nënkolonelët Sergej Nikolaevich Korzhov, Vasily Alexandrovich Vydrin, Vladimir Ivanovich Pilipchik, Aleksandr Vladimirovich Golyakov dhe Aleksandr Valerievich Obraztsov.

Duke shpallur sanksionet, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron tha se ishte "e qartë se autoritetet ruse e shihnin Navalny-n si një kërcënim dhe ata u përpoqën vazhdimisht të bënin që ai të heshtte.

Askush nuk duhet të dyshojë në natyrën shtypëse të sistemit rus. Kjo është arsyeja pse ne sot po sanksionojmë zyrtarët më të lartë të burgut përgjegjës për paraburgimin e tij në koloninë penale ku ai kaloi muajt e fundit. Ata që janë përgjegjës për trajtimin brutal të Navalny nuk duhet të kenë asnjë iluzion - ne do t'i mbajmë ata përgjegjës”, shtoi ai.

Mbretëria e Bashkuar është vendi i parë që vendos sanksione pas vdekjes së Navalny, ndërsa udhëheqësit perëndimorë bëjnë përgjegjës autoritetet ruse dhe presidentin Putin për këtë.

Edhe SHBA ka njoftuar se do të zbulojë një paketë sanksionesh kundër Rusisë që lidhet me vdekjen e Navalny por edhe me luftën ë Ukrainë.

Sakaq, qeveria britanike ka bërë thirrje që trupi i Navalny t'i dorëzohet menjëherë familjes së tij dhe të bëhet një hetim i plotë dhe transparent për vdekjen e liderit opozitar rus.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu