Nuk ka të ndalur dhuna në Haiti, pavarësisht se autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe shumë forca ushtarake janë dislokuar në terren.
Pas hapjes së burgjeve, ku rreth 4000 të dënuar u arratisën, persona të armatosur sulmuan aeroportin ndërkombëtar të Haitit, duke shkaktuar anulimin e të gjitha fluturimeve të nisjes dhe mbërritjes.
Kjo është një tjetër ofensivë e krimit të organizuar në Port au Prince në ditët e fundit. Për shkak të sulmit, asnjë fluturim komercial ndërkombëtar, kombëtar apo privat nuk u ul në pistën e vetme të aeroportit, e cila do të qëndrojë e mbyllur gjatë gjithë ditës.
Prej vitesh, Haiti është përfshirë nga trazira të brendshme sociale dhe politike duke çuar në rrënimin e vendit.
Dhuna është përshkallëzuar më tej që nga vrasja e Presidentit të Haitit në shtëpinë e tij në vitin 2021. Ai nuk është zëvendësuar dhe zgjedhjet nuk mbahen që nga viti 2016.
Në një reagim, drejtuesit e grupeve kriminale që po drejtojnë dhe dhunën e ditëve të fundit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit në detyrë, i cili po ashtu mban dhe postin e ministrit të Financave. (A2 Televizion)