“Asnjë opsion nuk do të përjashtohet kundër pushtuesit.” Kështu është shprehur ndër të tjera në një intervistë për gazetën franceze, Le Journal Du Dimanche, ministri francez për çështjet europiane, Jean-Noel Barot.
Në këtë intervistë theksohet nevoja që Bashkimi Europian të qëndrojë i palëkundur ndaj Rusisë.
“Lufta e ukrainasve është gjithashtu edhe e jona, sepse fantazia imperialiste e Putinit nuk kufizohet qartë në Ukrainë. Do të ishte një gabim serioz të përjashtoheshin opsionet. Do të ishte mëkat t'i dorëzoheshim frymës së kapitullimit. Stabiliteti ynë përballë Putinit është garancia e sigurisë sonë”, deklaroi Jean-Noel Barot, duke nënvizuar se Franca, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka vepruar në koordinim të plotë me partnerët e saj në NATO dhe BE.
Lidhur me çështjen e Mbrojtjes së kontinentit të vjetër, ministri francez theksoi se ajo ka marrë një dimension krejtësisht tjetër që nga fillimi i ofensivës ruse në Ukrainë, veçanërisht me Mekanizmin Evropian të Paqes, i cili bëri të mundur financimin e trajnimit të ushtarëve ukrainas, transferimi i pajisjeve ushtarake në Ukrainë dhe sot na mundëson operacione të përbashkëta të prokurimit dhe prodhimit të armëve.
Në lidhje me sulmet kibernetike nga pala ruse, ndër të tjera, Jean-Noel Barot u shpreh se prej dy vitesh Franca është shënjestër e dëshirës së Rusisë për agresion në fusha të ndryshme, përfshirë informacionin dhe IT-në”.
“Ndërsa zgjedhjet evropiane dhe Lojërat Olimpike afrohen, këto sulme mund të shumohen”, paralajmëron zyrtari francez.
Së fundi, sa i përket trajtimit të emigracionit në nivel të Unionit, Jean-Noel Barot u shpreh se "Pakti për Azilin dhe Migracionin forcon aftësinë e vendeve anëtare për të mbrojtur në mënyrë efektive kufijtë e jashtëm të BE-së, veçanërisht me procedurat e detyrueshme kufitare dhe instrumentet e forcuara: regjistrimin, filtrim, tërheqje, kthime.
(A2 Televizion)