Moti ekstrem ka sjellë ortekë, stuhi, erëra të forta dhe rrëshqitje dheu në Itali dhe Francë. Një djalë 16-vjeçar vdiq pasi u godit nga një ortek ndërsa po bënte ski jashtë pistës në Val Passiria në rajonin e Tirolit Jugor të Italisë, pranë kufirit austriak. Rreziku i ortekëve në zonë qëndron në nivelin e tretë, ose "i konsiderueshëm", në shkallën evropiane të rrezikut të ortekëve. Djali është personi i dytë i vrarë nga një ortek në rajon gjatë ditëve të fundit.
Më shumë se 6,000 njerëz që jetojnë në tre fshatra në zonën Gressoney të luginës së Aosta, rajoni alpin pranë kufirit francez, janë izoluar që nga e diela si pasojë e ortekëve, të cilët gjithashtu bllokuan një tunel.
Stuhitë dhe erërat me shpejtësi më të madhe se 100 km/h shkaktuan rrëshqitje dheu në rajonin e Ligurias në bregun veriperëndimor të Italisë. Një tornado goditi qytetin port të Savonës dhe dallgët prej më shumë se katër metrash u regjistruan në Capo Mele.
Përmbytje pati edhe në zonën Alessandria të Piemontes dhe stuhi në të gjithë rajonet jugore të Italisë dhe në Sardenjë, ku bora ra gjithashtu në masivin Gennargentu, një varg malor në qendër të ishullit. Disa rajone italiane mbeten në gatishmëri mesatare ose të lartë pasi parashikohet moti më ekstrem në ditët në vijim.
Në atë që është një nga periudhat më të ngarkuara të vitit për vendpushimet franceze të skive, sinoptikanët thanë se ekzistonte një rrezik i lartë i orteqeve në Alpe pas reshjeve të mëdha të borës të dielën.
Zyra franceze meteorologjike tha se zona malore përgjatë kufirit italian ku pritej deri në një metër b
orë në një lartësi prej 2500 metrash ishte në rrezik të veçantë. Dëbora e madhe në fundjavë ndërpreu hyrjen në disa resorte alpine në juglindje të Francës, ku pati raportime për reshje dëbore prej 50 cm brenda disa orësh gjatë natës.
Në anën tjetër të vendit në Brittany, erërat deri në 50 mph (80 km/h) dhe shiu i dendur sollën përmbytje. Pesëdhjetë e katër departamente franceze iu nënshtruan paralajmërimeve të motit të hënën, katër prej të cilave, tre në juglindje dhe një në perëndim, ishin në gatishmëri të lartë për kushte ekstreme. (A2 Televizion)