E ardhmja e vendit në duart e tyre! Brenda “gjimnazit” ku përgatiten luftëtarët e rinj

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2025, 17:22 | Bota

Në një shkollë ushtarake në Kiev, dhjetëra të rinj po trajnohen për t’u bërë gjenerata e ardhshme e ushtarëve të vendit të tyre. Gjimnazi ushtarak “Ivan Bohun” është një nga tre institucionet e tilla në vend dhe strehon qindra adoleshentë që përgatiten për të mbrojtur atdheun e tyre nga pushtimi rus, shkruan A2 CNN.

Të rinjtë kalojnë dy vjet në këtë shkollë, ku ndjekin mësime akademike si matematikë, fizikë dhe histori, si dhe trajnim ushtarak, duke përfshirë përdorimin e armëve, mbrojtjen nga sulmet kimike dhe strategjinë e betejave. Jeta e tyre është e organizuar me disiplinë të rreptë, duke filluar nga ora 6:50 e mëngjesit deri në 21:30 në mbrëmje. Përveç përgatitjes ushtarake, ata kanë të drejtë të kalojnë të dielat jashtë shkollës, duke vizituar familjet ose duke kaluar kohë me miqtë.

E ardhmja e vendit në duart e tyre! Brenda “gjimnazit” ku

Njëri nga kadetët është 16-vjeçari Yevhen, i cili ëndërron të bëhet pilot luftarak, duke ndjekur shembullin e familjes së tij, ku breza të tërë kanë shërbyer në ushtri. Nëse ai ia del mbanë, vitin e ardhshëm mund të trajnohet me avionët F-16 të dhuruar nga Holanda dhe Danimarka.

Pavarësisht rreziqeve të vazhdueshme nga sulmet ajrore ruse, numri i aplikimeve për këtë shkollë është katërfishuar që nga viti 2021. Më shumë se gjysma e studentëve vijnë nga familje ushtarake, ndërsa të tjerët janë jetimë ose fëmijë të prindërve të vrarë në luftë.

Që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt 2022, 66 ish-kadetë të shkollës janë vrarë në betejë. Megjithatë, Yevhen dhe shokët e tij nuk e lënë frikën t’i ndalojë. “Nuk do të qëndroj në shtëpi duke parë gjithçka nga larg”, thotë ai, i vendosur për të luftuar për lirinë e vendit të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos