Erdogan synon të “pushtojë” Stambollin, përgjaken zgjedhjet në Turqi: Një i vdekur dhe 12 të plagosur

Nga A2 CNN
31 Mars 2024, 12:13 | Bota

Sytë e mbarë botës janë kthyer këtë të dielë nga Stambolli, me qendrën ekonomike të Turqisë që është kthyer të jetë vendimtare në jetën politike të Presidentit Rexhep Taip Erdogan.

Lideri turk e mbajti mbi shpinën e tij të gjithë peshën e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, duke kanalizuar të gjitha forcat e AKP-së në Stamboll, pasi nuk është vetëm çështje nderi rifitimi i bashkisë më të madhe të vendit, por edhe konfirmim i rolit të tij hegjemonist në jetën politike të Turqisë.

Nëse kandidati i AKP për Stambollin Murat Kurum, arrin të mposhtë kryebashkiakun në fuqi, Ekrem Imamoglu, atëherë Erdogan neutralizon rivalin më të fortë potencial për President nga opozita. Duke “pushtuar” Stambollin ai vulos edhe të ardhmen e tij politike, por edhe kursin e Turqisë  në vitet e ardhshme.

Kjo pasi humbja e mundshme e Imamoglu i hap rrugën një ndryshimi të Kushtetutës, i cili do t'i lejojë Erdoganit të pretendojë një mandat të tretë si President.

Për këto arsye tensioni mbetet i lartë në Stamboll dhe në të gjithë Turqinë. Madje zgjedhjet kanë nisur duke u përgjakur, pasi incidente të dhunshme janë regjistruar në Dijarbakır, një nga qytetet kryesore kurde në Turqinë juglindore.

Sipas Ministrisë turke të Shëndetësisë të paktën një person u vra dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Përleshjet shpërthyen mes dy grupeve gjatë zgjedhjeve të sotme, duke rezultuar në një të vdekur dhe 12 të plagosur”, tha një zyrtar për AFP, duke sqaruar se incidentet ndodhën në një fshat që ndodhet 30 kilometra larg Dijarbakirit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu