"Europa sot është më e dobët dhe e përçarë", ekspertja: Ja pse partitë e ekstremit të djathtë dominuan zgjedhjet e PE

Nga A2 CNN
10 Qershor 2024, 20:01 | Bota

Teuta Vodo, profesore e asociuar dhe drejtore akademike në Paris, analizoi në “Ditari” në A2 CNN rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Europian, që u dominuan nga partitë e ekstremit të djathtë, të cilët kanë arritur rezultate të rëndësishme, duke tronditur peshën tradicionale të Partive Popullore Europiane dhe Social Demokratëve, si dhe duke detyruar Presidenti e Francës Emmanuel Macron ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për herë të parë që nga viti 1997.

Sipas saj, Europa sot është më e dobët dhe e përçarë: “Europa nuk ka më të njëjtin dinamizëm dhe të njëjtën bindje sa i përket zgjerimit dhe kjo shihet në emërimin e komisionerëve dhe emërimin e Presidentit të Komisionit Evropian”.

Vodo e shpjegoi rezultatin e zgjedhjeve për PE-në kështu: “Luftërat do të sjellin një valë tjetër refugjatësh në Evropë dhe kjo është diçka që politikanët e ekstremit të djathtë kanë premtuar që do ta shmangin. Këto parti të ekstremit të djathtë kanë në programin e tyre edhe daljen nga Bashkimi Evropian dhe çdo organizate tjetër ndërkombëtare, pasi çdo konventë e firmosur do të thotë më pak sovranitet. Një pjesë e mirë e qytetarëve duan që vendet e tyre të ndërhyjnë sa më pak në konfliktet si ai Izrael-Palestinë”.

Kur u pyet nëse Le Pen mund të jetë Presidentja e ardhshme e Francës, Vodo u përgjigj: “Vendi i Presidentit në Francë nuk vihet në diskutim, vetëm Gjykata e Lartë mund ta shkarkojë atë. Nëse në 20 qershor dhe 5 korrik, pas dy raundeve, partia e ekstremit të djathtë do të rezultojë sërish fituese, kryeministri do të jetë nga kjo parti. Kjo do të thotë që do të ishte pothuajse e pamundur qeverisja për shkak të ideologjive të ndryshme të Macron dhe partisë së ekstremit të djathtë. Është e pamundur bashkëjetesa mes partisë së Macron dhe partisë së Le Pen”.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri