Çfarë po përgatit Putin? Presidenti rus miraton buxhetin më të madh ndonjëherë për ushtrinë

Nga Rosalba Bejdo
2 Dhjetor 2024, 12:25 | Bota

Presidenti Vladimir Putin aprovoi një buxhet rekord për mbrojtjen që përfshin plot 1/3 e shpenzimeve totale të qeverisë, teksa lufta në Ukrainë po shteron resurset për të dyja palët. Buxheti për 2025-n, i cili mori dritën jeshile në të dyja dhomat e parlamentit, parashikon 126 miliardë dollarë shpenzime për mbrojtjen kombëtare, apo 32.5 për qind të shpenzimeve totale, shkruan A2 CNN.

Ai është rreth 28 miliardë dollarë apo 25 për qind më i lartë sesa rekordi paraprak i vendosur këtë vit, por do të jetë edhe më i fshehti në historinë postsovjetike, me gati 1/3 e shpenzimeve që do të mbahen sekret nga publiku.

Moska po shënon përparim në zona kyçe përgjatë fronteve të luftës, dhe kundërofensiva në rajonin rus të Kurskut është i vetmi sukses ushtarak i Kievit për këtë vit. Ukraina ka qenë gjithmonë në disavantazh kur vjen puna për pajisje dhe fuqi njerëzore, edhe pse ka siguruar miliarda dollarë ndihma nga Perëndimi, përfshirë edhe gjysmë miliardi pajisje të reja të premtuara nga Gjermania të hënën. Moska, nga ana tjetër, ka më shumë armatime, municione dhe personel, por barra mbi ekonominë dhe popullsinë e vet po shtohet.

Rritja masive e shpenzimeve ushtarake përgjatë dy viteve të fundit ka çuar në qiell inflacionin, ndërsa kompanitë përballen me mungesë stafi. Moska përballet gjithashtu me humbje të konsiderueshme në fushëbetejë, dhe problem mbetet rekrutimi i trupave të reja, shkruan A2 CNN.

Për t’i ardhur në ndihmë, Koreja e Veriut dërgoi rreth 11 mijë ushtarë të vet për të luftuar në frontet ruse. Po ashtu, pjesë të armatimeve ruse vijnë nga Koreja e Veriut, duke përbërë gati 1/3 e raketave balistike të lëshuara këtë vit drejt Ukrainës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos