Shkatërruesi i raketave USS Thomas Hudner ka rrëzuar një dron të rebelëve Houthi të Jemenit ndërsa lundron në Detin e Kuq, kanë konfirmuar zyrtarët amerikanë, ndërsa kanë theksuar se fatmirësisht nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Ky është sulmi i radhës të një vale raketash kundër forcave amerikane të vendosura në Irak dhe në Siri nga rebelët Houthi, të cilët mbështeten nga Irani. Këto sulme komentohen nga ekspertët si një hakmarrje për mbështetjen e SHBA-së ndaj Izraelit në luftën ndaj Hamasit.
Pas sulmit të parë të Hamasit në Izrael, Presidenti amerikan Joe Biden shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Izraelin dhe drejt Mesdheut lindor u nis menjëherë flota e anijeve luftarake, të udhëhequr nga luftanija më e madhe në botë USS Gerald R. Ford.
Aeroplanmbajtësja më e avancuar e Marinës amerikane u vendos në zonë së bashku me pajisjet më moderne të ushtrisë, ku përfshihet edhe një flotë shkatërruesish, kryqëzues me raketa dhe avionët luftarakë F-35. (A2 Televizion)