“Foshnjet mbështillen me fletë metalike për t’i mbajtur gjallë”, OBSH e konfirmon: Spitali më i madh i Gazës jashtë funksionit

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2023, 09:27 | Bota

Spitali Al-Shifa, më i madhi në Rripin e Gazës, është zyrtarisht jashtë funksionit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar raportimet e mesditës së djeshme se gjeneratorët e spitalit kryesor janë fikur dhe godina është vendosur nën rrethimin e ushtrisë izraelite.

OBSH thotë se spitali është “fikur” prej tre ditësh për shkak të bombardimeve, me gjeneratorin e fundit të Al-Shifa që i mbaroi karburanti në fundjavë, duke çuar në vdekjen e tre foshnjave të lindura para kohe dhe nëntë pacientëve të tjerë.

Ndërkohë ka një përplasje deklaratash midis Hamasit dhe Tel Avivit zyrtar. Ushtria izraelite pretendon se kishte koordinuar dërgimin e 300 litrave karburant me zyrtarët e spitalit, por Hamasi ka penguar zyrtarët e spitalit që ta pranonin ndihmën.

Në krahun tjetër grupi militar ka mohuar pretendimin. “Oferta nënvlerëson dhimbjen dhe vuajtjet e pacientëve që janë të bllokuar brenda pa ujë, ushqim ose energji elektrike. Kjo sasi nuk është e mjaftueshme për të funksionuar gjeneratorët e spitalit për më shumë se 30 minuta”, thuhet në reagimin e Hamas.

Sakaq CNN duke iu referuar drejtorit të spitalit Al-Shifa raporton se të porsalindurit janë nxjerrë nga inkubatorët të mbështjellë me fletë metalike dhe po vendosen pranë ujit të nxehtë në një përpjekje të dëshpëruar për t'i mbajtur gjallë.

Kam qenë me ta pak kohë më parë. Tani janë ekspozuar, sepse i kemi nxjerrë nga inkubatorët. Ne i mbështjellim me fletë metalike dhe vendosim ujë të nxehtë pranë tyre në mënyrë që t'i mbajmë ngrohtë”, tha drejtori i qendrës mjekësore Dr. Muhammad Abu Salmiya për Al-Araby TV.

Brenda spitalit, asnjë nga sallat e operacionit nuk funksionon për shkak të mungesës së energjisë elektrike, tha Abu Salmiya, duke shtuar se "kushdo që ka nevojë për operacion vdes dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë për të".

Sallat e operacionit janë krejtësisht jashtë shërbimit dhe tani të plagosurit vijnë tek ne dhe ne nuk mund t'u japim asgjë tjetër përveç ndihmës së parë”, shtoi ai.

Një gazetar i pavarur brenda Al-Shifa tha se dhjetëra trupa mbeten ende për t'u varrosur, ambulancat nuk kanë qenë në gjendje të mbledhin të plagosurit dhe sistemet e mbështetjes për jetën nuk kanë energji elektrike për të funksionuar. “Mjekët po punojnë nën dritën e qirinjve, ushqimi po racionohet dhe njerëzit brenda kanë filluar të pinë ujë tubash”, tha gazetari.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i tha CNN se forcat e tij ishin të angazhuara në "luftime intensive të vazhdueshme" kundër Hamasit në afërsi të kompleksit spitalor, por mohoi që kishin qëlluar qendrën mjekësore veriore të Gazës dhe ka hedhur poshtë pretendimet se spitali është nën rrethim.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha në një intervistë për CNN të dielën se nuk ka asnjë arsye që pacientët të mos evakuohen nga Al-Shifa. Sipas tij Izraeli po ndihmon pacientët duke krijuar korridore të sigurta në terren dhe tha se mbi 100 tashmë janë evakuuar nga spitali, por CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur nëse ndonjë person ka mundur të evakuohet dhe drejtori i spitalit tha se njerëzit kanë frikë të dalin jashtë.

Al-Shifa nuk është i vetmi spital jashtë funksionit. Të dielën, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës njoftoi se Spitali Al-Quds, një tjetër strukturë e madhe në qytetin e Gazës tani është jashtë funksionit. “Kjo ndërprerje e shërbimeve ka ndodhur për shkak të shterimit të karburantit në dispozicion dhe ndërprerjes së energjisë elektrike”, tha PRCS.

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë më shumë se 11,000 njerëz, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë, dhe një bllokadë e karburantit ka rezultuar në një krizë të thelluar humanitare pasi spitalet, sistemet e ujit, furrat e bukës dhe shërbimet e tjera të varura nga energjia elektrike janë mbyllur.

Ndërkohë, imazhet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë disa foshnja të porsalindura që u hoqën nga inkubatorët në spital, të grumbulluara të pafuqishme së bashku dhe të vendosur në një shtrat.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi