Veprimtaria e Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara është e mbuluar nga hije të rënda korrupsioni. Prej disa kohësh, senatorët demokratë si anëtarë të Komitetit Gjyqësor të Senatit, kanë kërkuar miratimin e legjislacionit për forcimin e kodit të etikës, e cila rregullon marrëdhëniet midis anëtarëve të Gjykatës Supreme Amerikane dhe personave të trete. Në qendër të kritikave është gjyqtari Clarence Thomas.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Komiteti Gjyqësor i Sentatit, rezulton se, Thomas, kreu tri udhëtime të paraportuara më parë të paguara nga miliarderi konservator nga Teksasi, Harlan Crow. Detajet e fluturimeve me avion privat, midis viteve 2017 dhe 2021, u morën si pjesë e një hetimi që komiteti ka kryer mbi raportet e udhëtimeve të pazbuluara dhe përfitimeve të ofruara për drejtësinë nga Crow, si dhe dashamirës të tjerë të pasur të cilët janë bërë shkak për fillimin e reformave në sistemin e drejtësisë amerikane. Senatori Dick Durbin, kryetar i komitetit gjyqësor të senatit, tha se dokumentet sigurojnë transparencën e nevojshme për dhuratat dhe përfitimet e tjera të padeklaruara nga gjykatësi Clarence Thomas.
“Për më shumë se një vit, Gjykata Supreme është përfshirë në një krizë etike. Histori pas historie janë zbuluar sjellje të pahijshme etike nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme. Për dekada të tëra, gjyqtari Clarence Thomas ka pranuar dhurata luksoze dhe udhëtime luksoze nga një grup miliarderësh. Vlera totale në dollarë e këtyre dhuratave është në miliona. Gjyqtari Alito, gjithashtu, kreu një udhëtim luksoz që i kushtoi mbi 100 mijë dollarë, udhëtimi u financua nga një miliarder. Të dy, gjyqtari Thomas dhe gjyqtari Alito, nuk kanë arritur të deklarojnë dhuratat që kanë pranuar, në shkelje të qartë të kërkesave për hetimin financiar, sipas ligjit federal”, tha Dick Durbin, Senator Demokrat.
Përpjekja e senatorëve demokratë për miratimin e projektligjit që do të siguronte një kod të detyrueshëm etik për Gjykatën Supreme, u hodh poshtë nga republikanët, të cilët thanë se qëllimi i vërtetë i legjislacionit ishte të minonte një gjykatë konservatore, vendimet e së cilës demokratëve nuk u pëlqejnë. (A2 Televizion)