Austin: Mbijetesa e Ukrainës varet nga balanca e Perëndimit

Nga Erjon Dervishi
13 Qershor 2024, 23:15 | Bota

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të furnizojnë Ukrainën me sistemet e mbrojtjes Patriot. Kështu ka deklaruar Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin gjatë një konference për media pas takimit me Ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës.

Reagimi i shefit të Pentagonit vjen në momentin kur mediat ndërkombëtare po flisnin për një shpërndarje të sistemeve Patriot në Ukrainë. 

“Tema e mbrojtjes ajrore ka qenë në krye të agjendës sime për një kohë të gjatë. SHBA-ja ka dërguar tashmë një sistem Patriot në Ukrainë, sot nuk kam asnjë njoftim shtesë në lidhje me këtë temë. Ne vazhdojmë të punojmë në mënyrë që ukrainasit të kenë gjithçka që u nevojitet dhe të jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta”, deklaroi Lloyd Austin, Sekretar i Mbrojtjes së SHBA. 

“Është një moment kritik, por unë kam besim se ky koalicion do të bëjë detyrën e tij”, theksoi më tej Austin.  

Shmangia e SHBA nga dërgimi i sistemit Patriot në Ukrainë është kompensuar nga nënshkrimi i një marrëveshje 10-vjeçare në fushën e sigurisë, midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Marrëveshja, e nënshkruar gjatë Samitit të G7 në Itali, përbën një hap drejt anëtarësimit përfundimtar të Ukrainës në NATO, thuhet në tekst.

Zelensky ka kërkuar prej kohësh anëtarësim, por aleatët nuk e kanë ndërmarrë atë hap. Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara përsërisin mbështetjen e tyre për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, thuhet në marrëveshje. Ndërkohë në Itali u miratua edhe vendimi për konfiskimin e aseteve ruse jashtë vendit. 

Sakaq, Moska ka reaguar ashpër për vendimin për sekuestrimin e aseteve ruse në Perëndim. Rusia i konsideron përpjekjet e Perëndimit për të marrë të ardhurat nga asetet e saj si kriminale, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, duke shtuar se përgjigja e Moskës do të ishte shumë e dhimbshme për Bashkimin Evropian.

Grupi i shtatë vendeve dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë mënyrën se si të përdorin fitimet e krijuara nga asetet ruse të ngrira në Perëndim për t'i dhënë Ukrainës një kredi të madhe, për të siguruar financimin e Kievit për vitin 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos