250 raketa në Izrael, hakmarrja e Hezbollahut për gjeneralin e vrarë

Nga A2 CNN
13 Qershor 2024, 09:54 | Bota

Hezbollahu ka lëshuar rreth 250 raketa në drejtim të Izraelit si një shenjë hakmarrje për vrasjen e komandantit të tyre.

Sulmi izraelit në Libanin jugor vrau tre luftëtarë të Hezbollahut, së bashku me komandantin e lartë në terren Taleb Abdallah, i njohur gjithashtu si Abu Taleb, thanë mediat Izraelite dhe tri burime të sigurisë në Liban.

Ai ishte komandanti më i lartë i Hezbollahut i vrarë gjatë tetë muajve të armiqësive midis Izraelit dhe organizatës militante të financuar nga Irani. 

Duke folur funeralin e komandantit Abdallah në periferitë jugore të Bejrutit të kontrolluara nga Hezbollahu, zyrtari Hashem Safieddine tha se grupi do të rrisë intensitetin, forcën dhe sasinë e operacioneve të tij kundër Izraelit në hakmarrje për vrasjen e ushtarakut.

"Nëse armiku po bërtet dhe po ankohet për atë që i ndodhi në Palestinën veriore, le të përgatitet për të qarë dhe vajtuar", tha Safieddine.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani ka pasur disa herë përplasje me Izraelin që nga shpërthimi i luftës së Gazës në tetor, në intensifikimin e vazhdueshëm të armiqësive që kanë nxitur shqetësimin për një konfrontim më të madh midis kundërshtarëve të armatosur rëndë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos