Hamasi ka propozuar "ndryshime të shumta" në përgjigje të një propozimi të armëpushimit për t'i dhënë fund luftës në Gaza, duke përfshirë disa ndryshime të papërshtatshme, tha Sekretari i Shtetit i SHBA, Anthony Blinken, gjatë një konference për shtyp nga Doha.
Blinken këmbënguli se Uashingtoni do të vazhdojë me ndërmjetësit të kapërcejnë hendekun midis grupit militant palestinez dhe Izraelit: “Ne prisnim një përgjigje dhe kjo ishte përgjigja nga Hamasi. Dhe siç tha kryeministri, mbrëmë morëm një përgjigje. Hamasi ka propozuar ndryshime të shumta për propozimin që ishte në tryezë. Ne diskutuam ato ndryshime mbrëmë me kolegët egjiptianë dhe sot me kryeministrin. Disa nga ndryshimet janë të realizueshme, disa jo”.
Hamasi iu përgjigj zyrtarisht propozimit të SHBA-së për armëpushim të paraqitur nga Presidenti amerikan Joe Biden më 31 maj, i cili bën thirrje për një armëpushim dhe lirimin gradual të pengjeve izraelite në Gaza në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael, gjë që do të çojë në një përfundim të përhershëm të luftës.
Një zyrtar i Hamasit i tha Reuters se përgjigja konfirmoi qëndrimin e organizatës se një armëpushim duhet të çojë në përfundimin e përhershëm të armiqësive në Gaza, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e enklavës palestineze dhe lirimin e të burgosurve palestinezë në Izrael. Por, mediat arabe bëjnë me dije se Hamasi nuk ka kërkuar ndryshime dhe as nuk ka bërë propozime të reja në lidhje me planin e zhvilluar nga Administrata Biden për një armëpushim në Rripin e Gazës.
Negociatorët nga SHBA, Egjipti dhe Katari janë përpjekur për muaj të tërë për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe për të liruar pengjet. (A2 Televizion)