Grupi militant i Iranit: Do të rinisim sulmet ndaj forcave amerikane

Nga A2 CNN
22 Prill 2024, 09:24 | Bota

Grupi militant i Iranit: Do të rinisim sulmet ndaj forcave amerikane

Militantët e mbështetur nga Irani në Irak kanë njoftuar të hënën se do të rinisin sulmet ndaj forcave amerikane në rajon.

Ky njoftim vjen disa orë pasi një sërë raketash u lëshuan nga Iraku drejt një baze amerikane ushtarake në Siri. Ky është sulmi i parë i këtij lloji që nga fillimi i shkurtit. 

Deklarata, e bërë nga Rezistenca Islamike në Irak, një grup ombrellë militantësh që i shtuan sulmet ndaj forcave amerikane të vendosura në Irak dhe në Siri, pas rinisjes së luftës në rripin e Gazës në tetor, u publikua në një kanal në Telegram të lidhur me Kataib Hezbollah, një prej grupeve të armatosura më të fuqishme të Irakut.

Në deklaratë thuhej se vendimi për t’i rinisur sulmet u mor pasi në bisedimet për tërheqjen e forcave të SHBA-së nga Iraku nuk pati progres. Bisedimet u bënë gjatë vizitës së kryeministrit të Mohammed Shia Al Sudani në Uashington, javën e shkuar.

“Ajo që ndodhi pak më parë është thjesht fillimi”, thuhej në deklaratë, duke iu referuar lëshimit të pesë raketave nga qyteti, Zummar në veri të Irakut, në drejtim të bazës ushtarake amerikane në Sirinë verilindore të dielën mbrëma.

Forcat amerikane nuk kanë bërë ende asnjë koment rreth deklaratave të militantëve të Irakut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos