“Hiq Zelenskin dhe Ukraina kurrë në NATO”, Putin pranon të flasë me Trump, por ka kushte për paqen

Nga Xhevahir Qardaku
24 Janar 2025, 14:37 | Bota

Një ultimatum nuk e vulos dot paqen në Ukrainë. Përballë kërcënimit të presidentit amerikan me tarifa dhe sanksione, homologu rus, Vladimir Putin përgjigjet duke pranuar të flasë me Donald Trump për t’i dhënë fund luftës, shkruan A2 CNN. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, thotë se Putin po pret sinjale nga Uashingtoni dhe vendos disa kushte. Fillimisht kërkohet që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, të largohet nga pushteti dhe që vendi i tij të mos pranohet kurrë në NATO.

Peskov i përgjigjet edhe një deklarate tjetër të Trump, që theksoi në forumin e Davosit se përmbyllja e luftës varet nga çmimi i naftës. “Ky konflikt është për shkak të kërcënimit ndaj sigurisë kombëtare ruse, kërcënimit ndaj rusëve që jetojnë në territoret e njohura dhe refuzimit të plotë të amerikanëve dhe europianëve për të dëgjuar Rusinë. Kjo nuk ka të bëjë me çmimet e naftës. Zelensky nuk mund të jetë gati për të bërë një marrëveshje, ndoshta fjala ‘zgjidhje’ është më e përshtatshme këtu, sepse për të arritur një zgjidhje, duhet të zhvillohen negociata. Vetë Zelenskiy i ka ndaluar negociatat me dekretin e tij”.

Ndërkohë, Rusia thotë se është gati që të bisedojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çarmatosjen bërthamore sa më parë që të jetë e mundur. “Dua t'ju kujtoj fjalët e presidentit Putin se në rrethanat aktuale, të gjitha kapacitetet bërthamore duhet të merren parasysh. Nuk ka asnjë mënyrë që ne të negociojmë pa marrë parasysh potencialin bërthamor të Francës dhe Britanisë së Madhe. Realitetet e sotme e kërkojnë këtë. Pra, ne kemi gjëra për të folur. Negocimi është i nevojshëm. Shumë kohë është humbur. Topi është në fushën e amerikanëve që kanë pezulluar të gjitha kontaktet thelbësore me ne”, tha ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij në Davos, përmes videokonferencës, kërkoi dhe ndihmën e Kinës për t’i bërë presion Rusisë të ndalojë luftën kundër Ukrainës, ndërsa përshëndeti thirrjen e Putinit për të reduktuar arsenalin e armëve bërthamore në botë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos